Ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, si i pandehuri i dytë në rastin “TNT” që ka të bëjë me prishjen e objektit “Cosmo”, nuk u paraqit sot në seancën e radhës pranë Gjykatës Penale.
Jovica Straskovski, avokati i ish-kryetarit të Gazi Babës, u paraqit në gjykatë pa praninë e klientit të tij me pretekstin se ai ishte rrahur gjatë javës së kaluar dhe kishte marrë lëndime të dukshme në kokë dhe trup. “Toni Trajkovski është dërguar në Qendrën e Urgjencës në Shkup”, tha gjyqtari Ognen Stavrev, duke lexuar promemorien e avokatit.
Sipas avokatit të Trajkovskit, ai ishte keqtrajtuar të ënjtje dhe kishte marrë plagë të mëdha trupore.
Gjykatësi Ognen Stavrev kontaktoi mjekun që e kishte mjekuar, i cili i tha atij se pacienti ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe ishte duke shkuar për në shtëpi. “Nëse nuk paraqitet për 1 orë, do t’i dërgojmë policinë në shtëpi për ta marrë me forcë”, tha gjykatësi dhe dha një orë pushim.
Gjyqi TNT ka më shumë se dy vjet nëpër labirintet e gjyqësorit. Në dy seancat dëgjimore të mëparshme, disa nga të pandehurit nuk kishin avokatë dhe u emëruan avokatë shtetëror. Trajkovski e zëvendësoi përsëri avokatin mbrojtës duke caktuar një avokat të ri. Avokatë e rinj kanë kërkuar kohë për të shqyrtuar çështjen duke e vonuar akoma edhe më shumë procesin në fjalë.