Ndotja enorme e ajrit ka qenë tema e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së RVM-së të thirrur mbrëmë nga presidenti Stevo Pendarovski, ku ishin të pranishëm ministra, zyrtarë të tjerë shtetëror si dhe përfaqësues të shoqatave ekologjike.
Presidenti Pendarovski theksoi se ideja kryesore është realizuar në këtë takim ashtu që me këtë është ngritur vetëdija publike për këtë problematikë. Sipas tij, në historinë e vendit deri më tani nuk është biseduar për këtë problem në nivel aq të lartë politik dhe shtetëror. Ai tha se shoqatat ekologjike kërkuan përgjegjësi nga institucionet për masat që duhet të ndërmerren. Arianit Xhaferi nga EcoGuerila tha se ka dyshime se menjëherë do të veprohet në drejtim të ndërmarrjes së masave për zgjidhjen e problemit me ndotjen. Ai tha se ata kanë shpalosur katër kërkesa: ndalimin e importit të mbeturinave, shqyrtimin e të gjitha elaborative për hidrocentrale në zonat e mbrojtura, përkrahje policore të kontrolleve të inspektorëve të ambientit jetësor dhe kontrolli i ndërtimeve të egra.