Yllit të Juventusit i kushton rëndë kartoni i kuq, pezullohet për 3 ndeshje

Mesfushori i Juventusit, Rodrigo Bentancur, është pezulluar me tri ndeshje mos lojë, pas ndëshkimit me karton të kuq në finale të Superkupës së Italisë të dielën.

Marketing

Bentancur u përjashtua në minutën e fundit në humbjen e Juves 3:1 ndaj Lazios në Doha.

Të hënën mbrëma, komiteti disiplinor i Federatës së Futbollit të Italisë, vendosi ta pezullojë atë me tri ndeshje mos lojë, si rrjedhojë.

Një ndeshje lidhet me dy kartonët e tij të verdhë në atë ndeshje, ndërsa dy ndeshje të tjera do t’i humbë si pasojë e sharjeve ndaj gjyqtarit të katërt.

Kjo nënkupton se ai do të mungojë në ndeshjet e Juventusit kundër Cagliari, Roma dhe Parma në fillim të vitit 2020.

Për më tepër, drejtorët e Juves Pavel Nedved dhe Fabio Paratici janë gjobitur me nga 5 mijë euro secili, për sjellje të pahijshme ndaj zyrtarëve në fund të ndeshjes finale.