Presidenti serb Aleksandar Vucic gjatë një interviste në mediat vendase ka folur edhe për vizitën e tij të fundit në Tiranë. Sipas kreut të shtetit serb, Kryeministri shqiptar Edi Rama, për herë të parë, pas gjithë mosmarrëveshjeve për Kosovën, tregoi si rrallë herë kurajo dhe mbrojti heqjen e pengesave ekonomike.Vucic theksoi se Serbia dhe Shqipëria kanë një shkëmbim tregtar prej 184 milionë eurosh, dhe kjo shifër mund të rritet në 500 milion euro.
“Ne po krijojmë një hapësirë ekonomike në të cilën kompanitë tona mund të punojnë dhe në të cilën kamionët nuk do të presin në kufij. Kush dëshiron le të marrë pjesë, ne nuk po e detyrojmë njeri, por të gjithë do t’i bashkohen asaj për 10 vitet e ardhshme. Kjo ide do të mbetet në histori, si bërthama e diçkaje që ka krijuar ekonomi të forta. Të gjithë do të bashkohemi me Mini Shengenin me kalimin e kohës.”
I pyetur nëse Schengen i vogël mund të përshpejtojë hyrjen në BE, Vuçiç theksoi se nga Bashkimi Europian ka shumë mbështetje, por nuk përjashtoi presionin e jashtëm.
“Disave nuk u pëlqen që vendet e Ballkanit të zhvillojnë biznesin e tyre, ata ndjehen të shqetësuar kur nuk vendosin për ne, por ata nuk mund ta kundërshtojnë drejtpërdrejt, sepse nisma mbështetet në katër liri, domethënë vlerat që nënvizojnë Bashkimi Evropian, liria e lëvizjes për njerezit, kapitalin, shërbimet dhe mallrat.”
Gjithashtu shtoi se me një treg të vetëm në rajon, mund të tërhiqen më shumë investitorë dhe se do të ishte në të mirën e të gjithëve, pasi investitorët kanë qenë të interesuar të shkonin atje ku kishte më pak burokraci më pak korrupsion.
Vucic beson se takimi tjetër i mini Schengen do të jetë në Beograd në fund të janarit, dhe se deri në atë kohë do të ketë një fluks të fuqisë punëtore dhe të udhëtohet vetëm me një kartë identiteti në Shqipëri dhe anasjelltas.