Është formuar grupi i punës që do të hartojë metodologjinë për zbatimin e gjuhës shqipe në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Grupi nuk përbëhet nga subjektet politike, por nga institucionet.
Ministria e Drejtësisë, Sekretariati për Çështje Evropiane, Ministrja e Jashtme dhe kabineti im. Këto resorë do të punojnë për gjetjen e mjeteve për zbatimin e rekomandimeve nga Komisioni i Venecias. Ky ligj na bashkon dhe nuk lejojmë më të na ndajë – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Metodologjia e re do të synojë zbatimin e rekomandimeve përmes akteve nënligjore, por kryeministri Zaev thotë se nuk përjashtohen edhe ndryshimet ligjore.
Në pjesën e gjyqësorit, mbase jo 100 për qind por mund të them në 80 për qind të rasteve mund të rregullohet me akte nënligjore. Pjesën tjetër do ta thonë grupet e punës, që nëse nuk mundet me akte nënligjore dhe duhen ndryshime ligjore, unë do të dal i pari t’i propozoj – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.
Opinioni i ekspertëve nga Komisioni i Venecias mbi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përçau partnerët e koalicionit LSDM-BDI, të cilët më pas u pajtuan që të mos ketë ndryshime ligjore, por metodologji për zbatimin e shqipes kryesisht në gjyqësorë. Sistemi gjyqësor, administrata dhe komunikimi ndër-institucional, janë tre sferat në të cilat Venecia rekomandon pezullim të dispozitave të ligjit deri në krijimin e kapaciteteve për zbatim të përhershëm të gjuhës shqipe.