Në verën e këtij viti një 30 vjeçar shtetas i Zvicrës me prejardhje nga Kosova kishte bërë një garë me policinë në mes të qytetit Arau.
Ai e kishte vozitur makinën në gjendje të dehur.
30 vjeçari kur e pa se po e ndiqte policia voziti edhe më shpejtë duke injoruar edhe dritën e kuqe.
Madje policia konstatoi se ai ishte dehur shumë dhe pas matjeve doli se ai kishte pirë 1.74 promila.
Në ikje e sipër ai u përplas me veturën e tij të tipit “Audi A5” me një mercedes dhe më pas edhe për rrethojat e një shtëpie.
Personi i kodifikuar me emrin “Blerim”, shpëtoi pa ndonjë lëndim, raporton Aargauer Zeitung përcjellë Klan Kosova.
Sipas kësaj gazete “Blerimi”, kishte edhe vepra të tjera, duke drejtuar veturën edhe me drogë.
30 vjeçari e pranuar veprën por pa dhënë detaje.
Gjykata konfirmon se ai ka filluar të binte ndesh me ligjin që nga viti 2007.
“Blerimi” në deklaratën e tij kishte thënë se me alkool kishte dashur t’i harroj problemet.
Gjykata e Qarkut e Aaraut e ka dënuar atë me burg efektiv prej 18 muajsh.
Masa më e rëndë e organeve të drejtësisë është ajo për dëbimin e tij nga Zvicra.
Ai duhet të braktisë vendin, pa leje për të hyrë sërish edhe në tri vitet në vijim.
30 vjeçari është dënuar edhe me dënim me para dhe me gjobë prej gjithsej tetë mijë frangash.
Në arsyetimin e trupit gjykues për vendimin për dëbim thuhet se ai ka rreth familjar në Kosovë dhe e njeh gjuhën.
Kjo sipas gjykatës e bën kthimin e tij më të lehtë.
Veç kësaj, shanset për punë të bashkëshortes së tij janë më të mira në Kosovë se në Zvicër.
Ndëkaq avokati i tij ka kërkuar që të mos dëbohet klienti i tij.
Kjo, me argumentimin se ai ishte i integruar mirë në Zvicër.
Blerimi kishte ardhur këtu para 20 vitesh, si fëmijë 10 vjeçar.
Gjithë kohën prejse ka arritur moshën madhore, ai ka punuar ndonëse ka ndërruar shpesh vendet e punës.