Nën dritën e mëndafshtë blu, që mbështjell bredhat, një turmë hijesh zvarritet mbi dëborë mes kafeneve e dyqaneve.
Nga Evropa dhe Azia, në çift ose me familjen, janë me qindra mijëra ata që, çdo dimër, pushtojnë tundrën e Laplandit finlandez, me shpresën për të takuar Babagjyshin “e vërtetë” të Krishtlindjes, për të parë aurorën boreale dhe për të sfiduar acarin mbi një slitë.
Që prej viteve të 80-ta, autoritetet vendase të turizmit e kanë bërë Rovaniemin atdheun zyrtar të plakut mjekërbardhë.
“Fshati i Babagjyshit të Krishtlindjes” është një park përrallor argëtimi, ku turistët bëjnë shëtitje mbi motorë dëbore ose mbi slita të tërhequra nga drerë veriorë, i shmangen erës nëpër kështjella akulli, zbrazin dyqanet e suvenireve dhe ngrohen pranë zjarrit duke pirë verë me kanellë.
Turizmi është jetësor për këtë mjedis arktik të populluar nga specie të jashtëzakonshme, por vendasit dhe veçanërisht samët, rritësit e drerëve veriorë autoktonë, ndihen të shqetësuar nga efektet e tij mbi mënyrën e tyre të jetesës dhe mbi mjedisin, në një rajon që po përballet me ngrohjen globale./ATSH/