Drejtori Sela në takim pune me Kryetarin e Gjykatës Themelore Civile

“Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela, sot realizoi takim pune me Kryetarin e Gjykatës Themelore Civile Shkup, Ilir Sulejmani.

Marketing

Gjatë takimit, drejtori Sela shprehu kënaqësi për angazhimin dhe përkushtimin e kryetarit Sulejmani për zbatimin e fazës së parë të Ligjit për Zbatimin e Gjuhës, duke pasur parasysh stafin e kufizuar dhe mjetet buxhetore që ka në dispozicion kjo gjykatë.

Kryetari Sulejmani theksoi se gjykata të cilën e administron ai, përfaqëson gjykatën më të madhe qytetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe se me angazhimin e tij personal dhe kapacitetet që disponon, ka përmbushur detyrimet e fazës së parë të Ligjit për Zbatimin e Gjuhës, por ende ka pengesa objektive për zbatimin e mëtutjeshëm të plotë të detyrimeve ligjore për shkak të mungesës së burimeve njerëzore kompetente, veçanërisht përkthyes, daktilografë, dhe stafit tjetër profesional me njohuri të mirë të gjuhës shqipe dhe terminologjisë ligjore.

Qëllimi i këtyre takimeve kryesisht është në interes të qytetarëve për realizimin pa pengesë të të drejtave të tyre gjuhësore jo vetëm në proceset gjyqësore, por në të gjitha procedurat që përfshijnë zgjidhje ligjore, dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës mbetet e gatshme për të bashkëpunuar me të gjitha palët që kanë për obligim zbatimin e dispozitave të Ligjit për Zbatimin e Gjuhës.” – zyra për informim, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.