Këshilli i Komunës së Tetovës e votoi buxhetin për vitin 2020

Në seancën e fundit të 27-të për vitin 2019, Këshilli i Komunës së Tetovës e votoi buxhetin për vitin 2020. Janë paraparë të ardhura në vlerë prej 27 milionë e 914 mijë euro, ndërsa për shpenzime 30 milionë e 680 mijë euro.

Marketing

“Mendoj se do të kemi vit të mirë punues. Planifikimi i buxhetit është bërë sipas standardeve të dhëna nga Ministria e Financave me mundësi që është dhënë për rritjen në 30 për qind, që vitin e kaluar e kemi pasur. Dhe kjo jep pak më shumë mundësi lidhur me planifikimin e shpenzimeve.

Gjithashtu, të ardhurat e planifikuara jo çdoherë kemi arritur t’i realizojmë, por duhet të planifikohen si të tilla për atë që me planifikimin mund të ndërtohen edhe procese tjera për zhvillim”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Ajo theksoi se investimet e përgjithshme kapitale të cilat planifikohen me buxhetin është zgjerimi i bulevardit “Vidoe Smilevski-Bato” si dhe punë në katër rrugë të tjera.
Në seancën e Këshillit u sol vendim që të jepet në shfrytëzim edhe menaxhimi i kapellës së Ndërmarrjes publike komunale “Tetovë”.

Seancën gjatë përpilimit të rendit të ditës e braktisën pesë këshilltarë të VMRO-DPMNE-së. Ata nuk u pajtuan me propozimin për ndryshim dhe plotësim të statusit të komunës për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit.

Këshilltarët tjerë votuan ndryshim të statutit të komunës së Tetovës me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.