Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) si përfaqësues legjitim i Libisë, Fathi Bashagha, ka njoftuar se për të kundërshtuar forcat mercenare të Khalifa Haftar-it, i cili u ka hapur baza ajrore shteteve të huaja, do të kërkojë zyrtarisht mbështetje ushtarake nga Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në kryeqytetin Tunis të Tunizisë, Bashagha theksoi se gjenerali puçist, Haftar, i ka dhënë bazë ushtarake Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shtuar se luftëtarë të huaj, pjesëtarë të kompanisë ruse të sigurisë Wagner, milicët Janjaweed dhe rebelët nga Çadi luftojnë së bashku në front.
“Do të kërkojmë zyrtarisht mbështetje ushtarake nga Turqia, për të kundërshtuar forcat mercenare të Haftar-it, i cili u ka hapur baza ajrore shteteve të huaja”, tha Bashagha.
Ai rikujtoi se Libia ka një qeveri legjitime e cila njihet ndërkombëtarisht, duke theksuar se te komuniteti ndërkombëtar kjo është e vetmja qeveri përfaqësuese.
“Në bashkëpunim me Turqinë, Tunizinë dhe Algjerinë do të jemi brenda një aleance që i shërben sigurisë dhe stabilitetit tonë”, u shpreh Bashagha.
Bashagha shtoi se mirëpresin një iniciativë që do të zhvillohet nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe që do të përfshijë të gjithë libianët.
Sot më herët, presidenti Erdoğan tha se një mocion për të zgjatur mbështetjen ushtarake ndaj “qeverisë së ligjshme” të Libisë në Tripoli do të paraqitet në parlamentin turk më 8 ose 9 janar.
Më 27 nëntor, GNA-ja dhe Ankara nënshkruan dy marrëveshje të ndara, njëra mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetra mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.
Që nga rrëzimi i liderit Muammar Gaddafi në vitin 2011 në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, një në Libinë lindore e cila mbështet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara dhe tjetra është GNA-ja në kryeqytetin Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.