Albin Kurti nuk do të marrë sot mandatin nga Hashim Thaçi për formimin e Qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje u ka shpërndarë mediave në Kosovë një njoftim ku saktësohet se Kurti ndodhet jashtë Prishtinës dhe e ka të pamudur të takohet me Presidentin.
”Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, thuhet në njoftim.
Thaçi i dërgoi sot ftesë Kurtit për ta mandatuar për krijimin e Qeverisë. Ftesa i është dërguar liderit të Vetëvendosjes, si partia e parë fituese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
Pas Albin Kurti të marrë mandatin nga Presidenti, ka 15 ditë kohë për të njoftuar Qeverinë e re, e cila duhet të formohet në koalicion me një parti tjetër, për të siguruar 61 votat e nevojshme në Parlament.
Ditën e djeshme u betuan deputetët e rinj, ndërkohë që Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh në kryetar i Parlamentit.
Negociatat disa javore midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, e cila doli parti e dytë në zgjedhje, nuk kanë dhënë ende një vendim pozitiv. Palët kanë ngecur te posti i Presidentit të Republikës, i kërkuar me shumë ngulm nga partia e drejtuar nga Isa Mustafa.
Ky i fundit deklaroi mbrëmë se nuk i quan ende të dështuara negociatat me Kurtin, çka lë të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në minutat e fundit.