Automjetet do të tatimohen sipas kategorisë ekologjike. Nga 1 janari, për automjetet me vlerë prej deri 10.000 euro, shuma e tatimit do të llogaritet vetëm sipas emisionit të dioksid karbonit. Dallimi në kategorinë ekologjike të automjeteve do të rishikohet në vlerën e tatimit kur bëhet fjalë për automjete me motor nafte apo benzine.
Automjeti me të njëjtën vlerë dhe të njëjtat emetime të dioksidit të karbonit nëse është me motor benzinë do të paguajë tarifë më të ulët. Për shembull, për të gjitha automjetet me vlerë deri në 10.000 euro dhe emetimet e dioksidit të karbonit prej 130 gramë për kilometër, nëse është me motor benzine tarifa do të jetë 6.500 denarë, ndërsa nëse motori është me naftë – dy herë më shumë.
“Presioni i sektorit civil për ndotjen e mjedisit është i ashpër dhe i duhur, sepse nuk ka asnjë alternative për shëndetin. Ministria e Financave dhe Drejtoria Doganore i përgjigjen disa sfidave që lidhen me ndotjen e ajrit me një zgjidhje sistematike dhe jo zgjidhje ad-hoc. Të mërkurën e kaluar, deputetët miratuan ligjin e ri mbi tarifën e automjeteve motorike. Me të për herë të parë, vendoset parimi: nëse automjeti është më pak i ndotur, ai ka një shkallë më të ulët të tarifës”, u shpreh ministrja e Financave, Nina Angelovska në prezantimin e rregullores së re të tariforit të automjeteve gjatë importit.
Drejtori i Drejtorisë Doganore, Gjoko Tanasoski theksoi se motivimi i qytetarëve për të blerë automjete më pak ndotëse do të jetë angazhim i përbashkët i disa institucioneve ku planifikohen të zbatohen masa speciale. Shifrat aktuale tregojnë se 82 për qind e automjeteve të blera janë të dorës së dytë dhe vetëm 18 për qind automjete të reja.
“Me ndryshimet stimulohet blerja e automjeteve të reja duke përjashtuar tarifat e caktuara të automjeteve, ato të përdorura për ndihmën e parë, shërbimet e varrimit dhe duke kthyer tarifën e paguar për automjetet e reja të destinuara për shërbimet e transportit taksi, ku kthimi i mjeteve varet nga qëllimi specifik i automjetit. Tek automjetet motorike do të kenë një kthim të tarifës 25 për qind, ndërsa automjetet me ulëse 7+1 dhe 8+1 që do të përdorën për taksitë dhe kompanitë do të tatimohen deri në 80 për qind. Për të inkurajuar përdorimin e automjeteve elektrike, përcaktohet një përjashtim i veçantë nga tarifimi për automjetet motorike për të gjitha kategoritë e këtij lloji. Automjetet hibride do t’i nënshtrohen 50 për qind përjashtimit nga tarifa”, sqaroi Tanasoski.
Ministrja Angelovska theksoi se Ligji i ri për tarifën e automjeteve motorike është ligji i parë për tarifimin e automjeteve që nuk llogarit vetëm sasinë e të ardhurave buxhetore, por për herë të parë përfshihet komponentë që stimulon blerjen e automjeteve miqësore me mjedisin dhe kështu kontribuon në uljen e ndotjes. Kjo stimulon rinovimin sistematik të parkut të automjeteve, gjë që është shumë e rëndësishme, pasi në shtet parku i automjeteve është midis 15 dhe 18 vjeç.
Në buxhetin e vitit 2020, të ardhurat nga tarifat e reja pritet të jenë aq sa akciza e automjeteve në vitin 2019.
Sipas parkut të automjeteve në shtet, vlerësohet se emetimi mesatar i CO2 është rreth 170 g/km. Kufiri i vendosur për prodhuesit e rinj të automjeteve në BE për vitin 2020 është 95 g/km CO2. Aktualisht mesatarja në vendet e BE është 130-140 g / km CO2. Në nivelin e BE, makinat përbëjnë rreth 12 për qind të emetimeve të përgjithshme të dioksidit të karbonit.