Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE-ja në fund të janarit 2020, dhe më pas të nisë bisedimet për raportet afatgjata me bllokun europian.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka lënë afat deri më 31 dhjetor të vitit tjetër për marrëveshjen, por presidentja e Komisionit Europian tha të premten se periudha e negociatave mbase nuk mjafton.
“Jam shumë e shqetësuar pasi na është lënë shumë pak kohë. Mua më duket se të dyja palët duhet ta mendojnë seriozisht a janë të realizueshme negociatat për një kohë kaq të shkurtër. Do të ishte më e arsyeshme të bëjë vlerësimin në mesin e vitit tjetër dhe të gjejmë mirëkuptim për zgjatjen e afatit,” deklaroi Ursula Von Der Leyen për një gazetë franceze.
Propozimi i saj bie ndesh me planin e kryeministrit Boris Johnson, i cili pasi fitoi zgjedhjet, i parashtroi parlamentit një projektligj për ta konsideruar të paligjshme zgjatjen e negociatave përtej vitit 2020.
Plani i tij u mirëbesua nga deputetët dhe do të marrë formën e ligjit me ndjekjen e procedurave.
Shefja e ekzekutivit europian, Ursula Von Der Leyen, shtoi për prestigjozen gjermane “Der Spigel”, se largimi i Britanisë nga BE-ja megjithatë nuk e rrezikon bllokun në kuptimin e sigurisë dhe të diplomacisë.
Pikat e tjera të bashkëpunimit dypalësh, nga ekonomia te politikat e jashtme dhe lëvizja e lirë e qytetarëve do të trajtohen nga fillimi i janarit në tryzeat e diplomatëve europianë, duke i paraprirë realizimit të Brexit në fund të muajit.