Komuna e Gostivarit ka organizuar pritje në sallën e këshillit për bashkatdhetarët tanë të cilët ndodhen për pushime në vendlindje. Aktiviteti i titulluar “Ditë e hapur për mërgimtarët” ka ardhur nën patronazhin e kryetarit Arben Taravari.
Takimin e hapi kryetari i këshillit komunal të Gostivarit, Besim Memedi, i cili sqaroi rreth borxhit të trashëguar dhe të paguar si pushtet i ri. Ai u ndal edhe te formimi i Këshillit, për çka tha se edhe pse i kishin fituar zgjedhjet, ishin bllokuar që shumicën ta kenë ata. Memedi tha se kjo ka rezultuar me bllokim të buxhetit, për çka shumë investime nuk kanë arritur t’i realizojnë.
“Ju jeni zemra e Gostivarit, mirë se vini në trojet tuaja shekullore. Fillimisht dua t’u njoftojë se me marrjen e pushtetit, pamë sa është borxhi, një pjesë të të cilit e kemi paguar. Me emocionuese ishte ajo që edhe pse i fituam zgjedhjet, Këshillin na e morën të tjerët me pa të drejtë. Shkak i kësaj nuk kemi pasur buxhet, u desh të reduktojmë disa harxhime. Por, pas dy vitesh ne e morëm Këshillin dhe tani do të kemi një “boom” të zhvillimit ekonomik në qytet”, deklaroi kryesuesi i Këshillit komunal të Gostivarit, Besim Memedi dhe shtoi se ky është viti i tretë që bëhet ky takim me mërgimtarët, dhe kjo do mbetet traditë, pasi nga çdo sugjerim e kritikë nga mërgata është e mirë se ardhur.
Kryetari Taravari tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që mërgimtarëve tanë, gjatë qëndrimit në vendlindje për festat e fundvitit, tu jepet mundësia që të njoftohen nga afër me punën dhe aktivitetet e Komunës, njëherit të mund të shpalosin vërejtjet, sugjerimet, idetë dhe propozimet e tyre bazuar në përvojat nga vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë. Ai fillimisht raportoi për investimet e kryera brenda dy viteve, edhe përskaj bllokimit nga ana e LSDM-së dhe BDI-së. Ai u sqaroi mërgimtarëve se të gjithë shefat e Departamenteve të Komunës i ka ftuar sonte dhe çdo problem që kanë, duhet ta paraqesin që pastaj të ofrohet zgjidhje.
“Jemi komuna e vetme opozitare urbane, dhe dy vite nuk na votohej buxheti nga këshilltarët e BDI dhe LSDM. Në natën e parë pasi i fituam zgjedhjet dhe para se të mbahet mbledhja e konstituimit të Këshillit, Oliver Spasovski ministri i MPB-së që tani do të jetë kryeministër teknik, rrotullohej vazhdimisht në Gostivar, dhe shantazhonte këshilltarë. Ne e dinim që kemi shumicë prej 17 këshilltarësh, ndërsa ndodhi krejt diçka tjetër. Nuk u mjaftuan me kaq, dy herë na morën kompetencat në arsim, çdo seancë që mbante në fillim Këshilli, i gjithë objekti i Komunës bllokohej e rrethohej nga policia. Megjithatë ne nuk u dorëzuam, për dy vite në gjashtë fshatra kemi realizuar kanalizim. Premtuam gjatë fushatës katër çerdhe dhe të të gjitha janë hapur. Vitin që vjen do e nisim një çerdhe të re në Gostivar për të cilën paratë i kemi siguruar që tani. E rregulluam kulmin e shkollës fillore “Goce Dellçev” edhe pse nuk ishte punë e pushtetit lokal. Për dy vite kemi asfaltuar 11 kilometra rrugë, 12 kilometra ujësjellës kemi ndërtuar dhe nga viti tjetër me rezervuarin e ri që do të rregullohet, nuk do të mbetet vendbanim pa ujë të pijshëm. Keni ndërtuar mbi 20 kilometra kanalizim dhe kemi ndërtuar tre stadiume të reja moderne dhe me standarde adekuate për futboll”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Sa i takon borxhit, tha se nga 3.5 milion të trashëguara, tre milion euro janë paguar.
“Kur erdhëm në komunë kishim borxh 3.5 milion euro, kanë mbetur rreth 600 mijë euro borxhe. Kemi para në arkë të Komunës rreth 400 mijë euro dhe ky borxh do të paguhet pa problem vitin tjetër. Buxheti është rritur me 30 për qind, dhe jam falënderues që qytetarët paguajnë tatime dhe e mbushim arkën. Vitin tjetër do të kemi dy pishina, një e mbyllur dhe një e hapur, një hotel me pesë yje afër stadiumit të qytetit. Kemi vendosur që disa nxënës dhe sportistë, për çdo muaj komuna t’i subvencionojë. Ata duhet të jenë sigurisht më të mirit e që nuk kanë mundësi financiare. Kemi një kuzhinë popullore për njerëzit me të ardhura të ulëta ku u sigurojmë ushqime vazhdimisht. Kjo kuzhinë ndërtohet për herë të parë në Gostivar. Komuna ka participuar edhe në ndërtim të shtëpive për familjet nevojtare në territorin e Gostivarit”, deklaroi Taravari.
Ai kujtoi mërgatën se edhe sivjet e kanë të hapur Zyrën e Diasporës në Komunën e Gostivarit e ku ata mund të drejtohen për çdo problem nga ora 08:00 e deri në ora 20:00.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryetari Taravari ka ftuar mërgatën të marrë pjesë masovike në zgjedhjet e prillit që të ndodh ndryshimi.
“Ju e dini se shumë investime varen nga pushteti qendrorë. Nëse nuk vjen ndryshimi me 12 Prill kam frikë se këtu nuk mbetet njeri. BDI këto vite të gjithë jeni dëshmitar se si ka punuar. Hajdeni me 12 Prill ta bëjmë bashkë ndryshimin, i cili o bëhet tani o kurrë”, nënvizoi ai.
Taravari ftoi diasporën që nga viti tjetër të vijnë dhe të investojnë në vendlindje, pasi Komuna e Gostivarit do të ndërtojë Zonë Ekonomike e cila do të ngrihet te ish kazermat në fshatin Banjicë e Poshtme.
“Ish kryetarit i interesonin vetëm ndërtesa, shumica prej të cilave janë të atij. Nuk ka lënë tokë pa shitur, por në Banjicë ka tokë e cila do të dedikohet për Zonë Ekonomike”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Dr. Arben Taravari.
Me ata për të cilët ishte organizuar ky takim, u zhvillua edhe një bashkëbisedim, ku kryetari Taravari është përgjigjur drejtpërdrejtë pyetjeve që i tangonin mërgatën.