Komuna e Kërçovës mbajti takimin e fund vitit me qytetarët, ku kryetari i saj, Fatmir Dehari, shpalosi të arriturat e viteve të kaluara dhe projektet prioritare të planifikuara me buxhetin e vitit 2020, të cilat u vlerësuan lart edhe nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Pasi prezantoi projektet e realizuara gjatë viteve të kaluara, kreu i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, shpalosi prioritetet e buxhetit të vitit 2020 i cili kap shumën prej 15 milion eurove, mjete këto që do të harxhohen për investime në projekte të rëndësishme që bazohen në kërkesat e banorëve të Bashkësive Vendore të kësaj komune.
Punët e realizuara tashmë duken, uroj që kryetari Dehari dhe ekipi i tij, të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen përfundimtare të problemeve tjera prioritare për popullatën vendore, e në veçanti ato të kapitullit 27-të të BE, për ambientin jetësor që duhet realizuar përmes planifikimit gjeneral dhe standardeve përkatëse të zgjidhjes përfundimtare, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
Kreu i BDI-së shpalosi edhe të arriturat e BDI gjatë 18 viteve të kaluara, të cilat sipas tij, janë produkt i përpjekjeve të vazhdueshme për ti përfaqësuar shqiptarët denjësisht, edhe në rrafshin kombëtar edhe në atë ndërkombëtar.
Në fund, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, u përgjigjën edhe në pyetjet e qytetarëve të shumtë që morën pjesë në takimin e zakonshëm të fundvitit të organizuar nga komuna e Kërçovës.