Dëshmia e rrallë e vitit 1921/ Kur Fan Noli denonconte në mediat franceze Serbinë

Le Petit Parisien (1921): Deklarata ekskluzive e imzot Fan Nolit, delegat i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve mbi konfliktin serbo-shqiptar

Marketing

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të enjten e 22 shtatorit 1921, në faqen n°3, deklaratën ekskluzive të Fan Nolit, në lidhje me konfliktin serbo-shqiptar.

Atdhetari shqiptar, i shqetësuar nga hordhitë serbe, përfaqësonte asokohe Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve (Gjenevë) me qëllim për të mbrojtur interesat tona kombëtare.

Çfarë ka thënë patrioti shqiptar për gazetën franceze? Në vijim do të gjeni deklaratën e tij të plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

“Gjenevë, 21 Shtator (Dep. Petit Parisien)

Imzot Fan Noli, delegat i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ka paraqitur një protestë (shkresë) kundër veprimeve të ushtrisë serbe, e cila ka pushtuar rajone të reja shqiptare dhe ka bombarduar disa fshatra. Ai na ka shprehur deklaratat në vijim:

Serbët, duke sulmuar, kanë dashur të parandalojnë vendimin e Konferencës së ambasadorëve dhe të Lidhjes së Kombeve. Prandaj, grusht shteti i tyre është një sfidë e hedhur ndaj dy organeve që janë aktualisht të angazhuara për çështjen tonë. Unë mezi besoj se qeveria në Beograd, duke vepruar kështu, është bazuar në premtime të fshehta që ajo mund të ketë marrë. Unë thjesht mendoj se ajo ka dashur të përfitojë nga pavendosmëria e përgjithshme. Megjithatë, shkatërrimi brutal i fshatrave paqësore do t’u kujtojë në mënyrë efektive liderve të politikës evropiane ndjenjën e realitetit.

Tani, është e kuptueshme, se problemi shqiptar është diçka që nuk mund të vonohet. Objektivi ushtarak i kësaj ofensive është pushtimi i malit të Lurës, në perëndim të Dibrës. Ky mal ka një pozitë shumë të fortë strategjike, i cili komandon fushën e Tiranës dhe tregjet jugore të Mirditës. Trupat, që do të instalohen aty, do të mbajnë vendin nën një kërcënim të vazhdueshëm dhe do të mund të pushtojnë kryeqytetin tonë kur të duan. Prandaj, ushtria shqiptare nuk mund të pranojë këtë zotërim pa u përpjekur për ta kundërshtuar atë. Lufta është e pashmangshme nëse nuk do të ketë një ndërhyrje.

Operacionet aktuale të shtabit serb kanë qenë të lehta për shkak se trupat e tyre, në pikënisje, pushtuan linjën e famshme të demarkacionit, e vendosur në mënyrë abritrare gjatë kohës së armëpushimit dhe se tashmë na marrin pjesën e gjashtë të territorit të caktuar Shqipërisë nga ana e Konferencës së Londrës në 1913.

Serbët, që prej tre muajsh, organizonin bandat e armatosura të artilerisë dhe të mitralozëve, të komanduara rregullisht nga oficerë, të cilët vepronin në krye të ushtrisë me qëllim për të përgatitur rrugën për pushtimin. Këto grupe kanë pikën e tyre të mbledhjes në territorin serb, Prizren, ku gjendet pseudo-qeveria mirditore e Marka Gjonit dhe në Dibër. Por ata u zmbrapsën kudo. Kështu, serbëve u ra maska dhe tani ata do të sjellin trupa të rregullta.

Unë nuk dua të hap këtu një debat mbi statusin territorial të Shqipërisë apo mbi kontradiktat e politikës serbe. Pas shpalljes së paqes, Serbia pranoi, zyrtarisht dhe disa herë, vlefshmërinë e kufijve të 1913, por ajo tani refuzon t’i njohë. Gjithsesi, asgjë nuk justifikon masat brutale që ajo ka ndërmarrë. Serbët pohojnë se ata kanë të drejtë. Në qoftë se ata janë të bindur për drejtësinë e kauzës së tyre, mjaftonte të prisnin thjesht verdiktin e Lidhjes së Kombeve, i cili tashmë nuk do të vonojë. Në vend të kësaj dhe pikërisht në momentin kur popujt aspirojnë me gjithë shpirt paqen, ata përdorin dhunën dhe nuk ngurojnë të përdorin armët.

Rastësi domethënëse: ky agresion i ri përsëritet pothuajse një vit më vonë nga shkatërrimi i 150 fshatrave shqiptare të luginës së Drinit prej trupave serbe.”