Përzgjedhësi kosovar e ka vlerësuar si të “çmendur” vitin 2019 për ekipin e “Dardanëve”.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, vitin që lëmë pas e ka vlerësuar si mjaft pozitiv dhe të “çmendur” për futbollin e vendit tonë.
Trajneri zviceran ishte njëri prej personazheve kryesore të vitit në Kosovë falë paraqitjeve të shkëlqyeshme të “Dardanëve” në arenën ndërkombëtare, shkruan Gazeta Express.
Challandes thotë se meritat nuk ishin vetëm të tij, por që kontribut ka dhënë e gjithë Kosova.
Ai i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që ia kanë dhënë skuadrës “Dardane”, ndërsa i ka përgëzuar lojtarët për paraqitjet që i shfaqën gjatë gjithë vitit 2019.
“Ishte një vit interesant dhe mjaft i mirë. Objektivi ishte i qartë, të përparojmë dhe të përmirësohemi. Ekipi ka bërë performanca mjaft të mira në kualifikimet e Euro 2020. Jam mjaft i lumtur me këtë ekip”, ka thënë Challandes.
Trajneri i Kosovës ishte i kënaqur me luftën e madhe që skuadra jonë e bëri në kampanjën kualifikuese për “Euro 2020”.
“Ne e kishim një fazë mjaft interesante të kualifikimeve. Më duhet t’i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me ekipin këtë vit. I falënderoj futbollistët, që kanë bërë paraqitje mjaft të mira, stafin, që ka bërë punë mjaft të mirë, Federatën, që na mundësoi të punonim si ekip, dhe krejt Kosovën për mbështetjen”, ka theksuar Challandes
Ndërkohë, ai ka folur edhe për vitin 2020, i cili shpreson ta dërgojë Kosovën në “Euro 2020”.
Challandes ka shprehur keqardhje që në “Play-Off” të Ligës së Kombeve Kosova do të luajë si mysafire.
Fillimisht do ta vizitoi Maqedoninë. Në rast fitoreje në Shkup, atëherë Kosova do të luajë me fituesin e çiftit tjetër, Bjellorusi – Gjeorgji. Po ashtu si mysafire.
Vetëm fituesi i këtyre dy çifteve gjysmëfinale do të shkojë në “Euro 2020”.