Viti i Ri 2020 në Maqedoninë e Veriut sjellë edhe disa ligje të reja që prej 1 janarit hyjnë në fuqi. Janë kryesisht ligje në interes të qytetarëve, dhe që u miratuan në fund të vitit të kaluar.
Prej sot do të rritet niveli i kontributeve që punëdhënësit duhet ta paguajnë për punëtorët e tyre. Për sigurim pensional do të paguhet 18.8 përqind të pagës bruto, ndërsa për sigurimin shëndetësor 7.5 përqind, që është për 1 përqind më shumë se në vitin 2018.
Sot hyjnë në fuqi edhe ndryshimet ligjore për tatimin e makinave. Kjo masë, siç thanë nga qeveria bëhet për të ulur importin e makinave të vjetra, si dhe ndotjen e ajrit. Me këtë ligj të ri, do të rriten tatimet për importin e makinave më të vjetra, të cilat nuk i plotësojnë standardet për ndotjen e ajrit.
Nga 1 janari, me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Akcizave, është planifikuar të futet rendi në prodhimin e raki vendase. Qytetarët që prodhojnë më shumë se 200 litra, por jo më shumë se 2,000 litra, do të duhet të regjistrohen, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të duhet ta kontrollojë.
Ligji i ri i akcizës, i cili hyn në fuqi më 1 janar, parashikon legalizimin e prodhimit dhe shitjen e rakisë vendore. Prej sot hyjnë në fuqi edhe ndryshimet në Ligjin e Taksës mbi të Ardhurat Personale, me të cilat do të shfuqizohet taksa progresive e të ardhurave personale. Gjithashtu rej sot do të rritet edhe pragu i TVSH-së, nga një milionë në dy milionë denarë.
Nga dita e sotme lirohen nga dogana dërgesat që nuk do t’i tejkalojnë shumën e 90 eurove. Mbi 32 mijë të punësuar në arsim prej sot do të marrin paga më të mëdha për 10 përqind. Po ashtu një nga masat është rritja e nivelit të pagesave me para në dorë apo “cash” nga 500 euro në 3000 euro.