Deputetët turq miratojnë dërgimin e trupave ushtarake në Libi

Parlamenti i Turqisë ka miratuar dërgimin e trupave ushtarake në Libi për të mbështetur qeverinë e përkrahur nga Kombet e Bashkuara.

Marketing

Ligjvënësit turq kanë votuar me 325 vota për dhe 184 kundër dërgimit të trupave për një vit në Liibi.

Aktualisht ekzistojnë shqetësime se forcat turke mund ta përkeqësojnë konfliktin në Libi.

Qeveria e kryeministrit, Fayez Sarraj me bazë në Tripoli dhe e mbështetur nga OKB-ja është duke luftuar kundër administratës rivale me bazë në lindje të shtetit, të udhëhequr nga gjenerali, Khalifa Haftar.

Forcat besnike të gjeneralit, që përkrahet nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet tjera, duke përfshirë ata që besohet se janë mercenarë rusë, kanë nisur një ofensivë në prill të vitit të kaluar për të pushtuar kryeqytetin e Libisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Qeveria e Sarrajt ka kërkuar pozicionimin e trupave turke.

Ankaraja thotë se ky veprim është shumë i rëndësishëm për ruajtje të interesave që ka Turqia në Libi dhe pjesën lindore të Mesdheut.