Partitë tradicionale të krahut të majtë në Evropë e mbyllën vitin 2019 me humbje. Përballë mosmiratimit të mbështetësve të tyre, kryesisht nga shtesat punëtore dhe me një bilanc humbjesh zgjedhore në shumicën e vendeve, duke përjashtuar Spanjën, ata duket se janë në vështirësi për të rindërtuar koalicione fituese.
Muajin e kaluar, Partia Laburiste e Britanisë regjistroi performancën e saj më të dobët elektorale në më shumë se 80 vjet, duke pësuar humbje të ndjeshme në parlament, çka u bë shkak për luftë të ashpër brenda saj.
Partitë simotra në Austri, Francë, Gjermani, Greqi, Itali dhe Hollandë shënuan gjithashtu humbje historike rekord.
Pyetja që shtrojnë disa analistë është se, a mbetet ndonjë e ardhme për këto parti, nëse ato nuk përshtaten në realitetin e ri, siç kanë bërë disa nga kundërshtarët e tyre konservatorë, të cilët janë riorganizuar bindshëm në politikën perëndimore?
“Social-demokracia e qendrës së majtë dhe kushërira e saj më radikale, e majta socialiste u themeluan për t’iu përgjigjur sfidave që lidheshin me ekonominë, por sot pyetjet parësore në politikë kanë të bëjnë me kulturën dhe identitetin,” thotë akademiku britanik Matthew Goodwin, bashkëautor i librit “Populizmi Kombëtar: Revolta Kundër Demokracisë Liberale”, në të cilën ai argumenton se revoltat populiste në Evropë “kishin një kohë të gjatë që përgatiteshin”. Autori hedh poshtë idenë se ato janë një spazëm, ose thjesht një reagim i shpejtë ndaj krizës financiare që shpërtheu në vitin 2008, ndaj masave shtrënguese që pasuan, ose ndaj krizës së refugjatëve që përfshiu Evropën duke filluar nga mesi i dekadës së fundit.
Në një intervistë për gazetën britanike The Times, Goodwin analizon humbjen e Partisë Laburiste, duke argumentuar se partitë e majta po përballen me një krizë ekzistenciale. “Një ironi e madhe e kohës sonë, – thotë ai, – është se e majta po pëson disfatë në momentin kur rritja ekonomike është ngadalësuar dhe standardet e jetesës kanë rënë, pikërisht gjërat që duhet ta sillnin atë në pushtet.”
Politikanët laburistë nuk ndajnë të njëjtin opinion se çfarë e solli dështimin e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar, të cilat ka të ngjarë të shihen si zgjedhjet me më shumë pasoja në çerek shekullin e fundit në Britani. Disa, duke përfshirë udhëheqësin e partisë humbëse Jeremy Corbyn, ngulin këmbë se politikat radikale socialiste që ai mbronte, përfshirë këtu shtetëzimin e një pjese të mirë të ekonomisë britanike, ishin politika që mbështeteshin nga publiku dhe se faji duhet të kërkuar tek Brexit-i.
Partia tani është e mbërthyer nga beteja se kush do ta drejtojë në të ardhmen dhe kjo ka vënë përballë centristët me besnikët e zotit Corbyn. Një aleat kyç i këtij të fundit, udhëheqësi i fuqishëm sindikalist Len McCluskey, thotë se politikat në manifestin e partisë gëzonin “shumë popullaritet, por “ne dukshëm nuk e fituam argumentin përballë Brexit-it” ndërkohë që politika e partisë për mbajtjen e një referendumi të dytë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk pati sukses.
Por centristët theksojnë se në anketimet pas zgjedhjeve, vetëm 17 përqind e atyre që e tradhtuan Partinë Laburiste përmendin Brexit-in si arsyen e kalimit te konservatorët e Boris Johnson-it, duke thënë se votuesit e shtresave punëtore që favorizonin shkëputjen nga BE-ja, do ta kishin anashkaluar këtë çështje, nëse laburistët do të kishin patur një udhëheqës më popullor si dhe një program të çliruar nga dogma majtiste.
“Për mua, gjëja më e rëndësishme është që Partia Laburiste të rindërtohet, që ne të nxjerrim mësime nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme, të reflektojmë mbi to dhe t’i analizojmë thellë”, thotë Keir Starmer, pretendent kryesor centrist dhe kandidati kryesor për të zëvendësuar zotin Corbyn. Por aktivistët e krahut të majtë po luftojnë për ta mbajtur nën kontroll partinë, përballë thirrjeve për një zhvendosje drejt qendrës.
Lufta që po përjetojnë laburistët po përsëritet në partitë e tjera të majta evropiane.
Por, ku është saktësisht qendra në politikën perëndimore sot?
Partitë e majta perëndimore po tërhiqen në drejtime të kundërta: Nga njëra anë janë mbështetësit e klasës së mesme, të cilët kanë përfituar ekonomikisht nga globalizimi dhe tregjet e lira; nga ana tjetër janë shtresat punëtore, që kanë mbetur pas ekonomikisht.
Veç kësaj, ato po përballen edhe me një hendek kulturor që ato po përpiqen ta mbyllin.
Votuesit e tyre më të vjetër tradicionalë, që i përkasin shtresës punëtore, po anojnë gjithnmjë e më tepër drejt konservatorizmit social, ndërsa aktivistët progresistë dhe votuesit e rinj të qendrave metropolitane po përqafojnë politika identiteti shumë të ndryshme. Ndërkaq, partitë konservatore janë treguar të shkathta për t’u riorganizuar dhe përshtatur në politikën perëndimore që lidhet po aq shumë me identitetin sa edhe me ekonominë, shpjegon Goodwin mes analistëve të tjerë.
Pyetja tani është, a ka aftësi e majta perëndimore të përshtatet në këto kushte?