“Përgjigja ndaj një veprimi ushtarak, është po një veprim ushtarak. Ndaj kujt? Kur, ku? Këtë do do ta shohim”, deklaroi në një intervistë për CNN ambasadori i Iranit në OKB Takht Ravanchi.
“Ne nuk mund të qëndrojmë në heshtje, duhet të veprojmë dhe ashtu do të bëjmë”, ka shtuar ai, duke nënvizuar se sulmi i Shteteve të Bashkuara që i mori jetën gjeneralit Kasem Sulejmani “ishte një akt lufte kundër popullit të Iranit”.
Me mijëra irakianë morën pjesë ndërkohë në Bagdad në kortezhin funebër të Sulejmanit, duke thirrur mbi arkëmortin e tij “Vdekje Amerikës”. Ajo çfarë ka mbetur nga trupi i gjeneralit pas ceremonisë, do të dërgohet në Iran. I pranishëm në kortezh, ishte dhe kryeministri i Irakut, Adil Abdul-Mahdi.
Sekretari amerikan i shtetit Mika Pompeo nga ana tjetër është ankuar se aleatët europianë “nuk ndihmuan aq sa do të kishin dashur amerikanët”. Pompeo tha për Fox News se i kishte telefonuar funksionarëve në disa vende për të folur mbi sulmin.
“I kam kaluar ditët e fundit duke folur me partnerët në rajon, duke i treguar çfarë po bënim dhe përse po e bënim, dhe përse kërkonim asistencën e tyre. Të gjithë ishin fantastikë. Pastaj, folëm më partnerët tanë në vende të tjera, të cilët nuk qenë po kaq të mirë. Për tu treguar i sinqertë, europianët nuk ka ndihmuan ashtu siç do të kishim dëshiruar”, është shprehur shefi i diplomacisë amerikane duke shtuar se “në veçanti britanikët, francezët dhe gjermanët duhet ta kuptojnë se ajo që bëmë, ajo që amerikanët bënë, ka shpëtuar jetë edhe në Europë”.