MPJ: Të marrë fund përndjekja politike e kosovarëve nga Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës në Beograd, për paraburgimin prej 30 ditësh ndaj kosovarit Nezir Mehmetaj
Përmes një komunikate, MPJ’ja thotë se ka lajmëruar edhe institucionet e Bashkimit Evropian për arrestimin e Mehmetajt në Beograd.

Marketing

“Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se është në kontakt të ngushtë me Brukselin, dhe se ka alarmuar institucionet e Bashkimit Evropian për arrestimin e z.Mehmetaj, si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovar”, thuhet në komunikatë.

“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar”, ka shtuar Pacolli.
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e z. Neziraj dhe kthimin e tij në familje.

Kosovarit Nezir Mehmetaj, i arrestuar nga policia serbe të premten në pikë kalimin kufitar në Merdare, nga një gjykatë në Beograd i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Këtë e ka bërë të ditur një familjar u Nezir Mehmetajt, i cili në Facebook ka shkruar se gjykata e Serbisë ia ka shqiptuar atij 30 ditë paraburgim.