Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohen sot në Zyrën e Presidencës, pas ftesës së tretë për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë nga ana e kreut të vendit.
“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë, zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje në mes partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.Ndërsa, Kurti ditë më parë ka thënë se do të takohet me presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të qeverisë.
“Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë”, ka thënë ai.Përndryshe, para këtij takimi LDK do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me VV-në.Mediat kanë raportuar se VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa i përket ministrive.