Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se trupat turke kanë nisur të vendosen në Libi, pasi Parlamenti turk e miratoi një veprim të tillë javën e kalaur.
Erdogan tha se mision i tyre do të jetë sigurimi i stabilitetit për Qeverinë në Tripoli, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.
Kjo qeveri po lufton një kryengritje të forcave rebele, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, me bazë në lindje të Libisë.
Haftar mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Qeveria në Tripoli e ka mbështetjen e Turqisë dhe të aleates së saj, Katarit.
Forcat rebele po bëjnë përpjekje të marrin kontrollin e Tripolit.
Ato janë fajësuar për një sulm ajror, të shtunën në një akademi ushtarake, ku kanë mbetur të vrarë së paku 30 njerëz.
Megjithatë, rebelët e kanë mohuar përfshirjen.
Qeveria e Turqisë nuk ka dhënë detaje për numrin e ushtarëve të dërguar në Libi.
“Detyra e ushtarëve tanë është koordinimi. Ata do të zhvillojnë një qendër operacioni atje”, tha Erdogan për CNN-in turk.
Ai theksoi se synim i Turqisë nuk është të luftojë, por “të mbështesë qeverinë legjitime dhe të shmangë tragjedinë humanitare”.
Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë kundërshtuar ndërhyrjen e Turqisë në Libi.
Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i ka thënë Erdoganit në një bisedë telefonike se “ndërhyrja e huaj e komplikon situatën në Libi”.
Erdogan ka thënë se Qeveria e Libisë ka kërkuar ndihmë ushtarake.