A është formula LVV-LDK e vetmja për formimin e qeverisë së re?

Përcaktimi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që të formojë qeverinë e re vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), i ka pamundësuar opsionet tjera, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Marketing

Ndonëse kanë kaluar tashmë tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, ende nuk është krijuar qeveria e re, për faktin se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur të bëjnë koalicion.

Sipas njohësve të çështjeve kushtetuese në Kosovë, ekzistojnë dy mundësi se si të formohet qeveria e re, në rast se nuk arrihet koalicioni ndërmjet këtyre dy partive.

Juristi Alban Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse LVV dhe LDK nuk merren vesh për të formuar qeverinë e re, kjo do të nënkuptonte se Lëvizjes Vetëvendosje do t’i hapeshin edhe rrugë tjera për koalicion qeverisës. Sipas tij, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, mund të shikojë të gjejë partnerë të tjerë, për të formuar qeverinë e re.

“Lëvizja Vetëvendosje mund të shohë mundësinë që të gjejë një partner tjetër nga radhët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend”, thotë Krasniqi.

Në këtë rast, sipas tij, partneriteti qeverisës do të duhej të ndërtohej midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe një apo disa subjekteve politike.

Mundësia tjetër, thekson ai, krijohet nëse pas marrjes së mandatit nga presidenti, mandatari për kryeministër, nuk e ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë. Në këtë rast, thotë ai, presidenti e ka diskrecion të caktojë mandatarin e dytë.

“Nëse kihet parasysh se kemi vetëm dy mundësi për të formuar qeverinë dhe nëse kjo lexohet bashkërisht me nenin përkatës të Kushtetutës që i jep presidentit një lloj obligimi të sigurojë funksionimin demokratik të institucioneve, atëherë mund të ketë kuptim që presidenti të ketë një lloj diskrecioni, tash por edhe në të ardhmen, që në herën e dytë, nëse ka dështuar formimi i qeverisë në herën e parë, të bëjë një lloj projektimi se kush ka shanse më të mëdha për të formuar qeverinë”, thotë Krasniqi.

Kushtetuta, thekson Krasniqi, e ka lënë të hapur atë se cilës parti i takon caktimi i mandatarit për herën e dytë, ndonëse aty thuhet saktë, nënvizon ai, se “duhet të jetë një kandidat tjetër nga mandatari i parë, sepse është “kërkesë eksplicite e nenit 95 paragrafi 4 të Kushtetutës”.

Nëse dështon edhe herën e dytë formimi i qeverisë, shton Krasniqi, atëherë duhet të shpallen zgjedhjet e reja.

Mirëpo zgjedhjet e reja, sipas Valmir Ismailit nga organizata Demokraci Plus (D+), do të ishin zgjedhja më e keqe e mundshme për të dalë nga situata aktuale.

“Këto dy subjekte politike, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, do të duhej që të shteronin të gjitha mundësitë për të krijuar një qeveri, të cilën e kanë premtuar qysh para mbajtjes së zgjedhjeve dhe pastaj edhe para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, thotë Ismaili.

Ai thotë se edhe rritja e numrit të ministrive, do të ishte një mundësi që të arrihet koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Një opsion do të mund të ishte që numri i ministrive të mos të ishte 12, por të ishte 15, ku LDK-ja do të kishte shtatë dhe Lëvizja Vetëvendosje pesë dhe tri ministri do të mund të shkonin për pakicat. Në rast se as ky opsion nuk i pëlqen asnjërës palë, atëherë do të duhej që të dyja subjektet politike të deklaroheshin publikisht që më nuk mund të pritet një koalicion ndërmjet këtyre dy subjekteve politike”, thotë Ismaili.

Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetutës të Republikës së Kosovës të vitit 2014, në rolin si iniciues, presidenti i Republikës ka mandat, por edhe obligim kushtetues në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, që t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në kuvend.

Kjo Gjykatë ka theksuar po ashtu që “presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për kryeministër”.

Të hënën, më 6 janar, është zhvilluar takimi i parë ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por aty nuk është nominuar mandatari për pozitën e kryeministrit.