Osmani-Timonie:Zgjedhjet do ta konfirmojnë pjekurinë demokratike dhe politike të vendit

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, mbajti takim me Ambasadorin e Republikës së Francës në vend, Kristian Timonie.

Marketing

Në takim u diskutuan aktualitetet lidhur me integrimin evropian të vendit, në veçanti në prag të samiteve evropiane të BE-së në mars, maj dhe qershor nën kryesimin e Kroacisë me BE-në.

“Qeveria e mëparshme u formua sipas marrëveshjes politike përmes një procedure dhe procesit gjithëpërfshirës, që është dëshmi jo vetëm për pjekurinë institucionale por edhe për pjekurinë politike të vendit” – theksoi Osmani, duke potencuar se në periudhën e ardhshme Qeveria do të fokusohet në organizimin e zgjedhjeve të drejta, të lira dhe kompetitive, me çka do të konfirmojë besueshmërinë e deritanishme për kapacitetin demokratik të vendit.

Në takim u diskutuan edhe sfidat tjera lidhur me integrimet evropiane, siç është reforma e metodologjisë për negociata në të cilën punon Komisioni Evropian, sfidat e vendit për ta mbajtur momentumin reformues, mundësitë e procesit të negociatave në kuadër të kryesimit të Kroacisë me BE-në si dhe aktualitetet tjera.

Bashkëbiseduesit gjatë takimit riafirmuan angazhimin e përbashkët për ardhmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku edhe një herë së bashkërisht u dakorduan se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe vendet tjera të rajonit nuk kanë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në BE.