Ky fillimvit pritet ta aktivizojë edhe më shumë se vitin që lamë pas Prokurorinë e Specializuar të Hagës.
Pas dërgimit të rreth 200 ftesave për ish-udhëheqësit dhe për pjesëtarët e UÇK-së në vitin 2019, njohësit e sistemit të drejtësisë paralajmërojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti (janar – qershor) mund të priten edhe aktakuzat e para nga Gjykata Speciale.
Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së, organ ky i cili vazhdimisht ka paralajmëruar ftesa të reja, si dhe ngritjen e aktakuzave të para gjatë këtij viti, vazhdon ta kundërshtojë ashpër Gjykatën Speciale.
Lexo edhe: Viti 2020, vit i aktakuzave të para të Speciales
Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, për “Zërin” ka deklaruar se ky institucion nuk e pranon Specialen, e cila është gjykatë etnike dhe e padrejtë. “Ne nuk e njohim këtë gjykatë. Gjykata po thërret njerëz që t’i arsyetojë investimet, të cilat janë bërë në këtë institucion. Për ne kjo është gjykatë njëetnike, e padrejtë dhe pa mbështetje, por ne nuk befasohemi që thirren ushtarët përderisa po ftohen edhe njerëz që asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së. Për ne kjo gjykatë do të dështojë, sepse dihet që Kosova nuk ka bërë krime dhe për ne ajo nuk është befasi, sepse për të kanë votuar deputetët tanë”.
Kësisoj, sipas tij, duke u bazuar në punën e deritanishme të Gjykatës, nuk mund të pritet assesi që ajo të bëjë punë të ndershme, por që do të përfundojë duke dënuar njerëz politikisht.