Një vit nga ndryshimi i emrit kushtetues, Maqedonia e Veriut synon të hyjë në NATO dhe BE

Kaloi një vit nga kur u ndryshua emri i shtetit. Republika e Maqedonisë u shndërrua në Republika e Maqedonisë së Veriut. Me këtë u ndryshua Kushtetuta e vendit, dhe mori fund kontesti disa-dekadash me Greqinë, i cili daton që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë nga Ish-Jugosllavia në vitin 1991. U ndërruan tabelat kufitare, dokumentet, targat e makinave, kurse në përmendoret u vendosën shpjegime shtesë.
Nga partia në pushtet konsiderojnë se Maqedonia ka fituar, e nuk ka humbur gjë. Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski, tha se rritja ekonomike, investimet vendore dhe të huaja, si dhe ulja e nivelit të papunësisë janë vetëm disa nga përfitimet që i ka marrë vendi.

Marketing

“Masa kryesore që i inkurajoi të gjithë të investojnë dhe të hapin vende të reja pune, ishte pikërisht zgjidhja e kontestit për emrin. Edhe anëtarësimi në NATO është përfitim i madh. Hyrja në NATO nënkupton se më në fund japim garanci dhe vulë për kufijtë, se vendi ynë i takon aleatit më të fuqishëm ushtarak në histori. Absolutisht, qytetarët nuk duhet të brengosen për pronën dhe jetën e tyre, e as për sigurinë në vend”, deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.

Nga ana tjetër, opozita thotë se vendi nuk ka pasur përfitime pozitive pas ndryshimit të emrit. Naum Stoillkovski, thotë se kur do të vijnë në pushtet do ta rishqyrtojnë Marrëveshjen e Prespës.

“Me Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia e humbi identitetin institucional, hapi çështje serioze nga aspekti historik dhe kulturor, kurse nuk ka bërë asnjë hap drejt integrimeve evropiane. Për më tepër, u shua vullneti i qytetarëve në referendum. Janë shkelur parimet e demokracisë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Në Maqedoni vazhduan veprimet e korruptuara me zhvatje nga ana e pushtetit aktual, i cili aktualisht është në largim”, tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Edhe analistët me qëndrime të ndara. Risto Nikovski, thotë se Maqedonia ka bërë hap historik, duke hequr dorë nga njerëzit e saj dhe duke shkaktuar ndarje mes popujve.

“Marrëveshja e Prespës në fund të fundit ishte një marrëveshje kapitulluese, e cila e solli Maqedoninë në një pozitë të re, kurse maqedonasit si popull i ndau në bazë të përhershme, bazë e cila kërkon kohë për të kapërcyer. Kjo është një pasojë negative. Edhe pse aspiratat për anëtarësim në NATO janë hap pozitiv, megjithatë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është në interes të Maqedonisë, por në interes të NATO-s dhe SHBA-ve”, veçoi analisti Risto Nikovski.

Por, Millovan Stefanovski, u shpreh se në qoftë se ishim në NATO, nuk do të kishte ndodhur rasti Lagja e Trimave, kurse siguria në vend do të ishte në nivel të lartë.

“Në qoftë se ishim brenda NATO-s në vitin 2008, nuk do të kishte ndodhur Lagja e Trimave. Ja sa është e rëndësishme. Të japim shembull se çka mundej të parandalonte. Nëse e marrim ekonominë, lehtë do të arrinim në përfundim se sa është vlera të jesh anëtare e NATO-s. Nuk ka pandan në NATO. Aktualisht, bëhet fjalë për aleatin më të fuqishëm politik dhe ne duhet të futemi në atë klub elitar”, pohoi Millovan Stevanovski, analist.

Më 11 janar të vitit 2019, me 81 vota “për” dhe asnjë “kundër” apo “përmbajtur”, Kuvendi i Maqedonisë i miratoi 4 amendamentet për ndryshim të Kushtetutës, të parapara me Marrëveshjen e Prespës, me çka vendi u riemërua. Si rezultat i kësaj, Greqia u obligua ta mos bllokojë hyrjen e vendit në organizatat ndërkombëtare. Me zgjidhjen e kontestit me Greqinë, u zhbllokuan proceset integruese në NATO, por megjithatë vendi ende është duke e pritur datën për start të bisedimeve me BE-në. Pasi Parlamenti grek e ratifikoi Marrëveshjen për emrin, Maqedonia në shkurt të vitit të kaluar e nënshkroi Protokollin për hyrje në NATO, por i njëjti e pret nënshkrimin e Spanjës që Maqedonia edhe zyrtarisht të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.