Shkencëtarit amerikan njëherit fituesit të çmimit Nobel, James Watson, që ka zbuluar strukturën e ADN-së, i është marrë titulli prestigjioz pasi që në filmin e ri dokumentar ka treguar se nuk ka hequr dorë nga komentet e tij raciste, raporton CNN.
Watson i cili në vitet e ’50-ta së bashku me Francis Crick zbuloi strukturën e ADN-së, ka deklaruar në një dokumentar se janë gjenet përgjegjëse për dallimin në inteligjencë mes personave të bardhë dhe atyre me ngjyrë.
Menaxhmenti i laboratorit “Cold Spring Harbor” (CSHL), të cilin Watson e udhëhoqi nga viti 1968 deri më 1993, e ka quajtur komentin e ish-shefit 90-vjeç si të “turpshëm”. Nga ky laborator kanë bërë të ditur se “kundërshtojnë mëdyshjet dhe pikëpamjet personale të pabazuara dhe të pamëshirshme” të këtij shkencëtari. Ata kanë shtuar se deklaratat e tij janë “për t’u gjykuar dhe nuk kanë kurrfarë lidhje me shkencën”.
Biologu i famshëm molekular ka shtuar se megjithëse shpresonte që gjithë njerëzit të jenë të barabartë, “doli të jetë se kjo nuk është e vërtetë tek njerëzit me ngjyrë”. Gjatë një interviste dhënë në vitin 2007 për “Sunday Times”, Watson pati deklaruar se “ka qenë thellësisht i shqetësuar për të ardhmen e Afrikës, pasi që “të gjitha politikat sociale janë të bazuara në faktin se inteligjenca e tyre është sikurse e të tjerëve, ndërsa hulumtimet kanë treguar të kundërtën”.
Për shkak të këtyre deklaratave, CSHL e kishte shkarkuar nga të gjitha detyrat administrative, por deri më tani nuk ia kishte marrë titullin e nderit. Por edhe pse Watson kishte kërkuar falje për deklaratat e bëra në vitin 2007, në dokumentarin e ri të transmetuar më 2 janar ka pranuar se nuk ka ndërruar mendje.