Gjykata e Tiranës pushoi të hënën për mungesë provash çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, dhe dy ish-zyrtarëve të tjerë pranë tij.
Akuza e falsifikimit të dokumentave ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt u rrëzua sot nga gjykata si e pambështetur në prova, ndërsa në nëntor prokuroria u tërhoq nga akuza e pastrimit të parave, që kishte formuluar më herët ndaj tyre.
Prokuroria i akuzoi tre zyrtarët e opozitës për falsifikim dokumentash lidhur me kontratat e lobimit të PD-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shumën e 675 mijë dollarëve.
Këtë shumë, sipas deklarimeve periodike pranë departamentit amerikan të drejtësisë, Kompania e Nik Muzin pohoi se i ka marrë nga tri pagesanë vitin 2017 për veprimtari lobuese në dobi të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike, sipas prokurorëve, nuk i deklaroi këto pagesa, i falsifikoi dokumentat dhe pranon vetëm një pagesë 25 mijë dollarësh.
Grupi i tre prokurorëve u nda në mes në nëntor; njëri kërkoi vazhdimin e hetimeve për të gjitha akuzat, ndërsa dy të tjerët tërhoqën akuzën për pastrim parash dhe u dërguan dosjen në gjykatë vetëm për falsifikim dokumentash.
Pas procesit të sotëm, ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe një prej të akuzuarve, Arben Ristani, tha se akuza ishte montuar politikisht nga socialistët, ndërsa Partia Demokratike, sipas tij, ka paguar nga buxheti i saj fonde që janë bërë transparente pranë KQZ-së.
Avokati i të akuzuarve, Eduard Halimi, deklaroi se akuza u rrëzua pas dy vjet hetime, sepse u bazua mbi spekulime. “Hetimet vërtetuan se akuza nuk kishte asnjë lidhje me PD-në, nuk kishte asnjë vepër penale dhe se PD nuk kishte shkelur ligjin. U vërtetua katërçipërisht se vepra penale nuk ekzistonte” – tha zoti Halimi.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Bala, tha se kjo e sotmja ishte një teatër i turpshëm dhe se gabohej kushdo që mendote se kjo dosje e rëndë mund të mbyllet pa u hetuar në themel dhe pa u pyetur gjithë personat e përfshirë në të.
“Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare. Ishte nxitim i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari, që nuk e ka kaluar procesin e vettingut. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje. Nevojitet apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë, duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin” – tha zoti Balla.
Çështja e pagesave për lobim që ka kryer PD-ja u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.
Sipas deklarimeve të kompanisë “Muzin”, ajo ka marrë tre pagesa, gjithsej 675 mijë dollarë, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë 150 mijë dollar në datën 24 mars 2017 u bë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.
Nga këto deklarime të firmës Muzin, Kryetari i PD-së ka pranuar që vetëm pagesa 25 mijë dollar është kryer nga partia e tij.
Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjëherë lidhjet me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të tjera.
PD ka deklaruar se “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër” dhe se “nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.
Lidhur me pagesën prej 500 mijë dollarësh që Muzin ka deklaruar se janë bërë nga PD, zoti Basha ka dhënë shpjegime kontradiktore. Në fillim ai u shpreh se “nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, ndërsa në nëntor 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro – amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.
Prokuroria deklaroi fillimisht se “një diferencë thelbësore ekziston mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e kryera nga PD dhe shpenzimeve reale të saj. PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin” – theksohej në deklaratën e parë të prokurorisë.