Kupa Shqipëri-Kosovë/Fituesi shpërblehet me 150 mijë euro; aktiviteti do kushtojë 1.5 mln euro

Kriza financiare që ka përfshirë futbollin shqiptar ka vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e federatave të Shqipërisë dhe Kosovës për të krijuar edhe një bazë të shëndoshë ekonomike për zhvillimin e Kupës mbarëkobmëtare “Nënë Tereza” mes të tre kategorive të dy shteteve.Grupi i punës së ngritur nga FSHF dhe FFK, ka përllogaritur deri në detaj gjithçka do t’i duhet secili pjesëmarrësi në këtë aktivitet për të garantuar mbarëvajtjen.
734.000 euro janë përllogaritur nga organizatorët që t’i shpërndahen klubeve për të gjitha ndeshjet që do të luajnë, për të siguruar transport akomodim, dhe çdo gjë që duhet për të zhvilluar një ndeshje brenda standardeve, raporton Top Channel.

Marketing

Për secilën ndeshje të fazën eliminatore janë parashikuar 3500 euro për skuadër dhe 4000 për fazën finale. Më tej 32 ekipet që marrin pjesë në fazën finaliste do të përfitojnë nga 5000 euro premio vetëm për pjesëmarrjen.Sipas përllogaritjeve të mësipërme, ekipit fitues, i cili do arrijë të kalojë të gjitha fazat me premiot përkatëse, për fitimin e trofeut do përfitojë në total një shumë prej 150,000 euro.

Sa i përket zhvillimit të aktivitetit është menduar që gjithçka të fillojë për kategorinë e parë dhe të dytë në muajt mars-qershor 2020. Duke e ndarë në faza, e para do të ketë 40 ndeshje, faza e dytë 20 ndeshje po me sistem vajtje ardhje, ndërsa faza e tretë 10 ndeshje duke mbyllur në total 6 javë të fazës eliminatore.

Më tej aktiviteti mendohet të vazhdojë nga muaji shtator e në vijim, duke shfrytëzuar periudhat e pushimit të kampionateve nga ndeshjet e përfaqësueseve.

Për fazën e parë të finaleve është parashikuar që të zhvillohen 16 ndeshje, për fazën e dytë 8 ndeshje dhe për fazën e tretë 4 ndeshje. Më pas mbeten për t’u luajtur dy ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e madhe që nuk është përcaktuar nëse do të luhet në Tiranë apo Prishtinë.

Aktiviteti në total do të kushtojë 1.5 mln euro, shifër që të dyja federatat do të përpiqen ta sigurojnë nga shtetet përkatëse për të paktën 5 vite, duke mbuluar vitë pas viti vetëm pjesën që vetë organizatortë nuk arrijnë ta mbulojnë me të ardhurat e gjeneruara.