Xhaferi: Kuvendi do të fitojë pavarësim të plotë

Me 76 vota “për” dhe asnjë “kundër” deputetët në kuvend i dhanë dritë jeshile që me procedurë të shkurtuar të miratohen plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Kuvendin.

Marketing

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, në arsyetimin e tij tha se me këtë propozim Kuvendi do të fitojë pavarësi të plotë nga institucionet e tjera të shtetit.

“Në bazë të ligjeve përkatëse për administratë shtetërore dhe publike, Parlamenti si institucion ka qenë i obliguar që paraprakisht, për çdo vendosje, për çdo avancim, për çdo punësim, t’i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratë që nga ata të sigurojë pëlqimet e duhura pa të cilat nuk do të mund të bëhej asnjë veprim në këtë drejtim. Me këtë propozim ligj mënjanohet ai obligim i parlamentit dhe me atë sigurohet pavarësia e parlamentit që vendimmarrja të jetë në suaza të menaxhmentit të Parlamentit.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Hartimi i propozim ligjit, tha Xhaferi, është bërë në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës, NDI-në dhe Qendrën për Zhvillim në Shkup. Pas shqyrtimit nga komisionet amë, propozim ligji do të kthehet në seancë plenare për miratim të plotë.