Demokratët thonë se kanë prova të reja kundër Trumpit

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara thanë se kanë zbuluar prova të reja që lidhen me procedurat për shkarkimin e presidentit Donald Trump.

Marketing

Ata publikuan disa dokumente që lidhen me akuzat se Trump i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik.

Këto dokumente përfshijnë tekst-mesazhe dhe shënime me shkrim të Rudy Giulianit, që është avokat i Trumpit, raporton BBC.

Trump i mohon akuzat, ndërsa hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.

Demokratët thanë se do t’i dërgojnë provat e reja – të siguruara nga biznesmeni Lev Parnas – në Senat, së bashku me akuzat formale kundër Trumpit.

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë sot për dërgimin e akuzave në Senat.

Pasi demokratët e kontrollojnë Dhomën, votimi pritet të jetë pro.

Kur akuzat kalojnë në Senat, ky i fundit mund të nisë me gjykimin e presidentit.

Demokratët, deri më tash, nuk i kanë dërguar akuzat në Senat, pasi Partia Republikane – së cilës i përket edhe presidenti – ka refuzuar të lejojë pjesëmarrjen e dëshmitarëve në gjykim.

Për çfarë akuzohet Trump?

Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor.

Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.