“Lugina e Bashkuar”,shqiptarët e Preshevës firmosin marrëveshjen në Tiranë: Me një listë në zgjedhjet serbe

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim, në Tiranë, përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës.

Marketing

Ky takim kishte në fokus diskutime që lidhen me krijimin e një liste të përbashkët të partive shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi. Kjo listë, e cila bazohet në parime të qarta programore, do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.

Në përfundim të takimit, palët nënshkruan “Marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.

Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje duke theksuar: “Sot përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë dhënë shembullin më të vyer e domethënës se si shumë dallime partiake mund të artikulohen brenda vetëm një qëndrimi kombëtar.”

Sa i takon funksionit që do të ketë kjo marrëveshje Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh: “Kjo listë do të ketë funksion të pazëvendësueshëm në ngritjen e një vargu të gjerë shqetësimesh me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore.”

Ai vijoi fjalën e tij, duke siguruar se shqetësimet e shqiptarëve të Luginës, në të njëjtën kohë, janë edhe shqetësime të Qeverisë së Shqipërisë. Prandaj, Cakaj shprehu se Qeveria e Shqipërisë do të angazhohet pakursyer për të mbështetur listën e përbashkët të Luginës së Preshevës e afirmuar parimet politike të saj.

“Bashkimi sot iu shërben qytetarëve të Luginës, por edhe shqiptarëve kudo që janë.” – përfundoi Kreu i diplomacisë fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp.