Kosova mund të futet në krizë buxhetore nga 1 prilli i vitit 2020. Kjo pasi buxheti për vitin në të cilin kemi hyrë ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës është konstituar dhe në mungesë të qeverisë, përgjegjësia e votimit të buxhetit bie mbi këtë institucion.Ministria e Financave ka sqaruar shumë shpesh çështjen e miratimit të buxhetit për vitin 2020 dhe këtë e ka bërë edhe nëpërmjet faqes zyrtare të ministrisë.
Aty thuhet qartë se Kosova ka buxhet vetëm deri më datë 28 shkurt, përkatësisht pagesat që tërhiqen me 31 mars, shkruan lajmi.net.Sipas Ministrisë së Financave në situatën kur nuk miratohet ligji i ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri tek shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars (nëse ka vendim nga Kuvendi) dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik mund të realizohen sipas afatit të pagesës, në pajtim me LMFPP, neni 24, paragrafi 3.“Në pajtim me nenin 24, paragrafi 2 i LMFPP, vetëm Kuvendi mund të vendos për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për 1 muaj, përkatësisht për periudhën deri më 31 mars 2020. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti, dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020. Pas kalimit të afateve të lartpërmendura (28 shkurt, përkatësisht 31 mars), sipas kufizimeve të LMFPP, përkatësisht nenit 24, paragrafi 3, nëse ndarjet e lartpërmendura kanë skaduar dhe Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. Megjithatë, Ministria dhe Thesari janë të autorizuara që të bëjnë pagesa për larjen e një borxhi publik i cili është marrë në mënyrë të ligjshme sipas Pjesës IX të këtij ligji, në kohën kur ato pagesa maturohen”,thuhet në sqarimin e Ministrisë së Financave.Kriza buxhetore: Pasojë e pazareve politike:Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës assesi nuk po arrijnë marrëveshje për koalicionin qeverisës dhe kjo ka shkaktuar rrezikun që Kosova të futet në krizë buxhetore nga prilli i këtij viti.Buxheti për vitin 2020 është i gatshëm, por në mungesë të qeverisë që ta procedojë atë ose eventualisht të bëjë ndërhyrje në të, propozim-buxheti duhet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës i cili është konstituar më 26 dhjetor.Analistët politikë e kanë vlerësuar shpesh se negociatat e stërzgjatura dhe të pashpresë ndërmjet këtyre dy partive kanë hedhur në rrezik edhe stabilitetin financiar të Kosovës.Përgjegjësia bie mbi Kuvendin:Miratimi i buxhetit po shihet si diçka urgjente dhe sipas shoqërisë civile është e rrugës që Kuvendi i Kosovës në hapin e parë duhet t’i formojë komisionet parlamentare në mënyrë që të shqyrtohet korniza aktuale buxhetore.Qeveria në detyrë, e ka përgatitur propozim-buxhetin për vitin 2020 dhe është e gatshme që në momentin kur kërkohet, ta procedojë atë në Kuvendin e Kosovës.Ministria e Financave tashmë ka deklaruar se më 31 tetor, 2019 e ka dorëzuar në Qeveri propozim-buxhetin për vitin 2020. Por, qeveria ka qenë në detyrë dhe nuk ka mundur të procedojë me miratimin e tij si projektligj, i cili do t’i dorëzohej më pas Kuvendit.Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës për media lidhur me këtë çështje është shprehur se çështja e buxhetit kërkon trajtim të menjëhershëm.Kuvendit sipas Cakollit duhet që sa më parë t’i propozohet buxheti në mënyrë që vendi të mos pësojë krizë financiare. “Kuvendit duhet t’i propozohet buxheti, në mënyrë që të mos rrezikojmë hyrjen në ndonjë krizë financiare krejtësisht të panevojshme duke qenë se dispozitat ligjore në fuqi parashohin që pas muajit mars nuk mund të bëhet asnjë pagesë e vetme nga buxheti i konsoliduar i vendit, që nënkupton se asnjë transaksion financiar nuk mund të kryhet nga Ministria e Financave”, është shprehur ai.Sindikatat paralajmërojnë tensione në rast të mbetjes pa paga:SBASHK-u, FSSHK dhe SPK janë takuar ditë më parë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për të diskutuar në lidhje me shqetësimet e tyre sa i përket Ligjit për buxhetin 2020.Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, i FSSHK-së Blerim Syla dhe kryetarja e SPK-së, Valbona Kamberi kanë shprehur shqetësimet e tyre në emër të mijëra anëtarëve që përfaqësojnë duke kujtuar se pas zhgënjimit që ndodhi lidhur me ligjin e pagave, nëse ndodh që të mos ketë as Ligj të buxhetit dhe procedim të pagave, atëherë situata do të jetë tepër e tensionuar dhe mund të ndodhin edhe veprime e reagime nga më të ndryshmet.Sepse si thanë ata, shumica e të punësuarve në këta sektorë jetojnë nga paga e tyre dhe do të jenë të paparashikueshme reagimet e tyre nëse mbesin fare pa paga, aq më keq kur shumica janë edhe në kredi në bankat e ndryshme.Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur se këtë shqetësim e ka edhe ai dhe se ka shqyrtuar me ekspertë mundësitë eventuale që Kosova ta ketë Ligjin e buxhetit për vitin 2020 për të mos ardhur në situatën e mbetjes pa paga të mijëra të punësuarve në sektorë të ndryshëm, por në situatën aktuale mundësitë për të pasur një Ligj të buxhetit janë të vogla.Në anën tjetër Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza është shprehur se dëmet mund të jenë të mëdha nëse nuk aprovohet Ligji për Buxhetin.Ai është shprehur se dëmi mund të zmadhohet dhe se organizatat buxhetore presin aprovimin e buxhetit ku më e mundshmja do të jetë marsi. /Lajmi.net/