Vedat Muriqi ka regjistruar një tjetër paraqitje të mirë në ndeshjen kundër Gaziantep.Fenerbahce ka fituar kundër Gaziantep me rezultatin 2:0, për të arkëtuar tri pikë të reja në Superligën e Turqisë.
Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll pa gola, me skuadrat që shkuan në pauzën 15 minutëshe për të hartuar plane të reja.
Në pjesën e dytë, ishte skuadra e Fenerbahce ajo që gjeti golin, falë edhe brilancës së Vedat Muriqit.
Në minutën e 51’, Muriqi dha një harkim me të djathtën, ku saktë gjeti Max Krusen i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë.
Krejt në fund të ndeshjes, ishte përsëri ylli kosovar ai që u shfaq në skenë, duke shënuar gol në minutën e 92′, për të vulosur rezultatin final 2:0.
Si për mos t’i mjaftuar goli dhe asistimi, Muriqi mori edhe një karton të kuq para vërshëllimës së fundit në ndeshje.
Feneri tashmë me këtë fitore numëron 34 pikë për pozitën e tretë, kurse Gaziantep ka 24 pikë në pozitën e nëntë.