SHBA sanksione të reja një gjenerali të lartë iranian

Administrata Trump ka vendosur sanksione të reja ndaj një gjenerali të lartë iranian për rolin e tij në shtypjen brutale të protestave antiqeveritare. Ky është hapi më i fundit si pjesë e presionit maksimal ndaj Republikës Islamike të Iranit.

Marketing

Departamenti i Shtetit njoftoi se vendosi sanksione ndaj Gjeneralit të Gardës Revolucionare, Hassan Shahvarpour, i cili drejtoi masakrën ndaj 150 demonstruesve në Iranin jugperëndimor në muajin nëntor.

I dërguari i posaçëm amerikan për Iranin, Brian Hook, tha se “Gjenerali Shahvarpour komandoi njësitë përgjegjëse për dhunën dhe represionin vdekjeprurës në zonën përreth Mahshahrit”. Ai tha se vendimi u mor pasi u shqyrtuan edhe të dhëna fotografike dhe filmike të dorëzuara nga vetë iranianët.
Zoti Hook shtoi se Departamenti i Shtetit ka marrë rreth 88 mijë informata dhe të dhëna të tilla, që kur i bëri thirrje iranianëve të raportojnë evidencën për represion dhe shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Irani ka mohuar akuzat e Shteteve të Bashkuara për represion të gjerë, por ka pranuar se është përplasur me separatistë në Mahshahr, për të cilët tha se ishin të armatosur.