Ceremoni të shumta janë mbajtur në Kosovë me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës, presidentit historik të saj.
Ato nisën me homazhe tek varri i tij në Velani e vizita në familjen Rugova, ndërsa LDK mbajti dhe një event përkujtimor.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi atë me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës. Rugova u zgjodh 23 dhjetorin e vitit 1989 si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në ish-Jugosllavi.
Hashim Thaci kujtoi kontributin e madh të ish presidentit në rrugëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj bëri homazhe tek varri e më vonë kujtoi se “ Kosovën e presin sfida të mëdha, por puna dhe angazhimi i presidentit Rugova jeton gjithnjë”. Homazhe ka bërë edhe ambasadori i Shqipërisë, Qemajl Minxhozi i cili theksoi se sot kujtohet kontributi i ish-presidentit për lirinë e Kosovës. Albin Kurti citoi historianian britanik Noel Malcolm të theksonte se Rugova, në njërën anë, i bashkoi shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, e në tjetrën, e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës. Në 14-vjetorin e vdekjes, Ibrahim Rugovën e kujtuan edhe liderë te tjerë të vendit, si dhe bashkëpartiake e bashkëpunëtorë të tjerë të tij.