Princi Harry ka arritur në Kanada për t’u ribashkuar me Meghan dhe djalin Archie, pasi çifti finalizoi kushtet e ndarjes së tyre nga detyrat zyrtare të familjes mbretërore britanike.Fotografitë e medieve në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se Harry po dilte nga një aeroplan herët të martën në ishullin Vancouver, ku familja kaloi kohë gjatë Krishtlindjes, shkruan CNN.
Duka i Sussexit mori pjesë në Samitin e Investimeve Mbretëri e Bashkuar- Afrikë, të hënën, në Londër, ku u takua me kryeministrin britanez Boris Johnson, përpara se të fluturonte përtej Atlantikut.
Një zëdhënës i familjes mbretërore i tha “CNN” se ata nuk do të komentojnë mbi orarin privat të familjes.
Lidhje e fortë me Kanadanë
Duka dhe Dukesha kaluan pushimet e Krishtlindjes në Kanada me nënën e dukeshës, Doria Ragland.
Meghan jetoi atje për shtatë vjet dhe çifti thonë se kanë një ‘lidhje të fortë me Kanadanë”.
Sussexëve iu është propozuar të fillojnë jetë të re atje, ndërsa kryeministri Justin Trudeau tha javën e kaluar se diskutimet janë duke vazhduar rreth atyre që do të paguajnë kostot e sigurisë.
Largimi i princit nga Britania e Madhe pason një periudhë të trazuar në të cilën Harry dhe Meghan ranë dakord të hiqnin dorë nga titujt e tyre mbretëror dhe të përfundonin detyrat e tyre zyrtare.
Çifti bëri njoftimin shokues se po tërhiqeshin nga detyrat e larta mbretërore më 8 janar, më pastaj Mbretëresha njoftoi se kishte rënë dakord me vendimin e tyre.