Në drejtim të tejkalimit të keqkuptimeve, akuzave dhe stopimit të spekulimeve që ndërlidhen me realizimin e vendimit qeveritar për rritjen e pagave të punonjësve në arsimin e lartë për 10%, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, informon si vijon:
Në vitin 2019, Qeveria e Republikës së Maqedonisë se Veriut mori vendim të rrisë pagat e punonjësve në fushën e arsimit dhe shkencës, edhe atë: 10% për të punësuarit në shkollat fillore, të mesme dhe institucionet e arsimit të lartë dhe 25% për punonjësit në institucionet publike shkencore.
Për këtë qëllim, në bazë të marrëveshjeve kolektive të degëve në arsimin fillor dhe të mesëm, është nënshkruar marrëveshje me SASHK-un dhe pagesa e pagave të rritura fillon muajin tjetër, respektivisht me pagesën e pagës së janarit. Ndërsa, për realizimin e rritjes së pagave për punonjësit të shtatë instituteve shkencore publike u nënshkruan marrëveshje kolektive në nivel të punëdhënësit.
Për përmbushjen e plotë të vendimit të fundit qeveritar për rritjen e pagave të punonjësve në fushën e arsimit dhe shkencës, që në përputhje me planin e definuar së bashku me sindikatat zbatohet tashmë dy vite, dhe në drejtim të motivimit dhe stimulimit të punës së punonjësve të arsimit dhe shkencës, mbetet që të gjendet model, respektivisht zgjidhje për pagesën e pagave në arsimin e lartë. Kjo zgjidhje, sikurse edhe në të gjitha rastet tjera, doemos duhet të jetë në përputhje me dispozitat ligjore në vend.
Në këtë drejtim, javën e kaluar ministri i Arsimit dhe Shkencës ka zhvilluar takim me rektorët e universiteteve publiku ku, ndër të tjerash, është biseduar edhe për gjetjen e zgjidhjes ligjore për pagesën e rritjes së pagave për 10% për punonjësit në institucionet e arsimit të lartë.
Duke pasur parasysh faktin që aktualisht nuk ka marrëveshje të lidhur kolektive në nivel të degëve për arsimin e lartë, në përputhje me Ligjin për marrëdhënie pune – me të cilin rregullohet marrëveshja kolektive, mënyra e vetme për pagesën e rritjes së pagave është që të lidhet marrëveshje kolektive në nivel të punëdhënësit.
Në këtë rast, punëdhënës është secili universitet dhe ai duhet të lidhë marrëveshje kolektive me Sindikatën në të cilën duhet të jenë të anëtarësuar së paku 20% të të gjithë punonjësve të institucionit në fjalë.
A do të themelojnë punonjësit e universiteteve sindikata të posaçme për secilin universitet ndaras që të nënshkruajnë marrëveshje kolektive më të njëjtin, a do të themelojnë Sindikatën e vetme të re me të cilën do të nënshkruajnë marrëveshje kolektive me të gjitha universitetet apo do t’i bashkëngjiten SASHK-ut ose SPAk dhe do të përmbushin kushtin për reprezentim, sipas të cilit në sindikatë duhet të anëtarësohen së paku 20% e punonjësve të secilit universitet shtetëror, është vendim i punonjësve në universitete.
Duke e respektuar autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë në punën dhe menaxhimin e tyre, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka të drejtë, nuk ka dhënë dhe nuk do të japë sugjerime se në çfarë forme sindikaliste do të organizohen punonjësit e arsimit të lartë.
Me gjithë respektin ndaj organizatave sindikaliste në sferën e arsimit dhe shkencës, me të cilat kemi dialog të shkëlqyer dhe jemi partnerë në krijimin dhe implementimin e politikave arsimore, masave dhe ndryshimeve, ne jemi të bindur plotësisht se ato do të kontribuojnë në tejkalimin e kësaj sfide. Me këtë, përfundimisht, edhe punonjësit në arsimin e lartë do të përfitojnë nga marrëveshja e arritur, pas dialogut, për rritje prej 10% të të ardhurave të tyre personale bazuar në angazhim pune në një institucion të arsimit të lartë.