Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Donald Trump janë të interesuar që të zgjidhin problemet dhe çështjet e hapura në bisedimet Kosovë – Serbi, ka deklaruar të mërkurën mbrëma në Prishtinë, ambasadori Richard Grenell.
Ai po qëndron në Prishtinë në cilësinë e të dërguarit të Posaçëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Komentet e tij, Grenell i ka bërë ndërsa po fillonte një darkë pune me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. ”Ne duam që të arrijmë progres në këtë rajon, në Kosovë, në Serbi në planin ekonomik”, tha Grenell, duke nënvizuar se “të rinjtë kanë nevojë për vende pune”. “Çfarë unë mundohem të bëjë është të shtyjmë disa çështje, projekte të ndryshme. Kemi ide, të cilat do t’i shtyejmë dhe të cilat do të krijojnë energji të reja, shtyetje ekonomike dhe në veçanti vende pune me pagesë të mirë”, tha ambasadori Grenell. Përqëndrimi në planin ekonomik, tha ai, është në fokus të administratës së presidentit Trump. “Pra kjo nevojitet, zhvillim ekonomik”, tha Grenell, duke shtuar se kjo është kërkesë edhe e presidentit Trump. “Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu, nuk do të përfshihem në diskutimet politike. Unë dëshiroj që të avancojnë edhe Kosova e edhe Serbia, në një drejtim të një kuptimi më të gjërë të punës së përbashkët”, tha ai. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se dëshironte ta falënderonte ambasadorin Grenell dhe presidentin Trump për marrëveshjen e arritur për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. “Atë që nuk arrijnë ta bëjnë të tjerët e bëri ambasadori Grenell”, tha Thaçi. Ai tha se e ka njoftuar ambasadorin Grenell me vendimin e tij për nominimin e mandatarit për qeverinë e re. Por, shtoi se ambasadori ndodhet në Prishtinë për dialogun Kosovë – Serbi dhe jo për çështjen e formimit të qeverisë. Ambasadori amerikan, pritet të qëndrojë edhe të enjten në Prishtinë, me ç’rast do të zhvillojë takime me liderët politikë, përfshi edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është edhe i mandatuari për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti. I pyetur nga gazetarët se a ka ndonjë preferencë në lidhje me koalicionin e ardhshëm qeverisës, Grenell tha shkurt “jo”. Pas Kosovës, Grenell do të qëndrojë në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të takohet me Grenellin në Beograd. /REL