Sot, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës e vizitoi një delegacion nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, kryesuar nga shefi i kabinetit, Muharem Asani, i cili u prit nga drejtori i Agjencisë, Ylber Sela.
Institucioni në fjalë pasi e ka pranuar Udhëzuesin, që Agjencia për Zbatimin e Gjuhës e promovoi ditë më parë, ka shfaqur interes për t’u njohur nga afër me punën e Agjencisë, por dhe për të sqaruar dilemat dhe pengesat që shfaqen gjatë zbatimit të gjuhës në këtë institucion të rëndësishëm dhe kompleks.
Gjatë takimit u fol për shumë çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e dygjuhësisë në atë institucion, veçmas për vështirësitë dhe dilemat që shfaqen gjatë këtij procesi.
Faza e parë e zbatimit të dygjuhësisë në FSPI tanimë ka përfunduar, por edhe faza e dytë pritet së shpejti t’i tejkalojë vështirësitë dhe pengesat për shkak të veprimtarisë shumë të gjerë në mbarë vendin.
Të dyja palët, shfaqën interes për bashkëpunim në të ardhmen dhe se duhet të zbatohet ajo që është përcaktuar me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve.
Me këtë rast drejtori Ylber Sela ofroi ndihmë konkrete për sa i përket përkthimit dhe lekturimit të dokumenteve dhe formularëve të ndryshëm për nevojat e këtij institucioni.