Si sot, Bekir Asllani kontaktin e fundit me djalin e tij e pati një vit më parë. 35-vjeçari Arben Asllani konsiderohet si person i zhdukur. Bekiri thotë se nuk ka hasmëri me askënd dhe nuk ka ndonjë dyshim se kush ka mundur t’ia rrëmbej të birin. Por, dyshimet e tij ngjallen në autoritetet pse ato prej një viti nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje për hetimin.
Heshtjen e arsyetoj me një prapavijë jo të pëlqyeshme se ose e mbrojnë dikë ose ka edhe struktura të përziera të Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë situatë- thotë babai Bekir Asllani.
Babai i dy fëmijëve, herën e fundit është parë në orën 9 të darkës më 23 Janari të vitit të kaluar, duke hipur në makinën e tij pasi që kishte dal nga banesa e tij në Veri të Shkupit. Familjarët tani në shenjë proteste kanë dalë para institucionit ligjvënës dhe kërkojnë në autoritetet e shtetit që të ndërmerren masa për gjetjen e djalit të tyre.
Më kanë thënë se do të punojmë duke marr hapa konkret që të zbardhet rasti. Madje zëvendësministri Nuhiu pati deklaruar se ka pamje nga kamerat e sigurisë, dhe janë duke u përpunuar kontaktet telefonike. Por nuk ka asgjë. Vetëm premtime ka por asgjë në vepër- tha Bekir Asllani.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë duke hetuar në zbardhjen e rastit.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Personi Arben Asllani figuron si i zhdukur që nga 23 Janari i vitit 2019. Sektori për Punë të Brendshme – Shkup së bashku me Prokurorinë për krime të rënda e ka të hapur rastin, por për shkak të hetimit detajet nuk mund të publikohen. Nuk e konfirmojmë dot nëse ai është gjallë apo jo.”
Sipas të dhënave zyrtare nga MPB deri në këto momente 134 persona konsiderohen si të zhdukur, ndërsa në faqen zyrtare të MPB-së ekzistojnë të dhëna dhe fotografi vetëm për 62 prej tyre. Familjarët thonë se do të protestojnë çdo datë të 23-të, deri sa të gjendet djali i tyre qoftë i gjallë apo i vdekur.