Ligji për Prokurorinë, dështon takimi i grupeve të punës

As në Kuvend, në prezencë të të gjitha partive parlamentare, VMRO DPMNE dhe LSDM nuk arritën pajtim për propozim ligjin e ri për Prokurorinë Publike. Opozita në takim ishte vetëm 15 minuta. Ata u larguan nga takimi me kërkesë që në takimet politike, personalisht të marrë pjesë edhe prokurori shtetëror, Lubomir Joveski. Deputeti Antonio Milloshoski në emër të VMRO DPMNE-së tha që në dhjetor të vitit të kaluar, Jovevski ka deklaruar që propozim ligji për Prokurorinë publike ka mungesa. Megjithatë, Milloshoski nuk u përgjigj nëse VMRO DPMNE do t’i bojkotojë takimet nëse nuk vjen prokurori i shtetit.

Marketing

“Zotëri Joveski deklaroi. Citoj, “ajo që është e domosdoshme, jo për Brukselin, nuk është miratimi i një ligji të ri për prokurori, por do të nënvizoj, ligji cilësor dhe përmbajtësor, e jo vendim që do të jetë rezultat i marrëveshjeve ditore politike. Më mirë të mos miratohet ligj sesa të jetë ligj me vendime të këtilla”. Përfundon citati, deklarata e prokurorit publik Joveski”, deklaroi Antonio Milloshoski- VMRO DPMNE.

Ministrja e drejtësisë ka pritur që VMRO-DPMNE-ja të largohet nga mbledhja pas deklaratës së liderit të partisë se propozim ligji është antikushtetues. Deskovska njoftoi se ata do të punojnë për të siguruar 80 vota në mbështetje të ligjit. Sipas saj, opozita në çdo mënyrë sajon vërejtje vetëm për të ndaluar të gjitha procedurat e PSP-së të ndërmarra nga prokuroria e rregullt. Deskovska do ta ftojë Joveskin por vetëm në debat publik me ekspertë gjë që e ka kërkuar opozita, por jo edhe në mbledhje partiake.

“Z. Joveski ishte anëtar i grupit të punës që e hartonte ligjin dhe unë ia sqarova VMRO-DPMNE-së se ai do të thirret me të gjithë grupin e punës, por edhe ekspertë të tjerë në atë seancë dëgjimore publike, ku ata mund të diskutojnë për tekstin e ligjit”, tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Jovevski për Alsat sqaroi se nuk do të marrë pjesë në takime politike me format politik, por do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore publike me ekspertë. Në mbledhjen e sotme morën pjesë përfaqësues të BE-së dhe ambasadës amerikane me kërkesë të VMRO – DPMNE-së. Të pranishme ishin edhe BDI-ja dhe OJQ-të që i ndjekin reformat në gjyqësor. Aleanca për Shqiptarët dhe BESA kanë njoftuar se janë të hapura për bisedime dhe diskutime të mëtejshme për projektligjin./Alsat/