Kryesia e PDSH-së në Sopishte dhe këshilltari i komunës së Sopishtës kanë braktisur partinë.
Sipas tyre arsyet janë të shumta, por siç thonë, kupa u mbush pas shfaqjes së fundit të liderit të partisë Menduh Thaçi në emisionin Click Plus. Bajram Bajrami këshilltar në komunën e Sopishtes tha se sjellja e Thaçit është e pa ndërgjegjshme, pasi për të mbrojtur interesat personale, siç tha, merret me shpifje dhe etiketime ndaj të tjerëve.
“Shkaqet janë të shumta se përse u larguam nga partia që jemi 20 vite. Por vendimin e morëm pas mbledhjes së kryesisë dhe unanimisht u distancuam nga partia. Unë shkaqet i kam cekur edhe ne profilin tim në facebook, por kjo në Click Plus ishte kulmi. Për momentin nuk jemi me asnjë parti politike të afërt, por po presim oferta nga ato që janë në qeveri edhe ato të cilat janë jashtë qeverisë”, deklaroi Bajram Bajrami, këshilltari i PDSH-së në Sopishtë.
Njëra prej deklaratave që ka prekur aktivistët e degës së PDSH-së në Sopishte, është edhe kjo se do të flet me çdo parti vetëm e vetëm të ulet në kolltukun e zëvendëskryeministrit.
“Edhe BDI-në nuk do ta trajtoj si armik. Poqëse BDI do të flas me PDSH le të kenë parasysh këtë parakusht që e thash që të bëhem zëvendëskryeministër. Jam i gatshëm të flas edhe para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve. Unë besoj në këtë që po e them nuk do ta trajtoj BDI-në si armik”, deklaroi Menduh Thaçi javë më parë në Click Plus.
TV21 kërkoi kryesinë qendrore të PDSH-së, por ende nuk kanë koment tërheqjen së kryesisë së degës në komunën Sopishte.