Shërbimi i provës filloi të funksionojë në vitin 2019

Institucionet Ndëshkuese Përmirësuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë vend për edhe 500 të dënuar. Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Jovica Stojanoviq në lidhje me raportin e fundit të EUROSTAT, në të cilin theksohet se në 100 mijë qytetarë në vendin tonë ka 146 të burgosur, në një deklaratë për MIA-n thotë se momentalisht në INP dënimin e vuajnë 1883 persona, gjegjësisht 13 persona nën kujdes, nga kapaciteti i përgjithshëm prej 2384 shtretërve. Nga ana tjetër drejtori Stojanoviq, theksoi se momentalisht masën e paraburgimit e kryejnë 291 persona, gjegjësisht kapaciteti total i burgjeve për këtë masë është 396 vende.

Marketing

“Vijojnë ndryshime dhe plotësime të akteve nënligjore të cilat do të na mundësojnë shpërndarje të personave të dënuar në institucionet tjera që të mos kemi mbingarkesë në disa INP”, deklaroi Stojanoviq.

Miratimi i Ligjit për amnisti në vitin 2018 dukshëm e uli numrin e të burgosurve dhe kontribuoi në uljen e mbingarkesës në Institucionet Ndëshkuese Përmirësuese në vend. Megjithatë në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit për gjendjen në burgjet theksohet se duhet të kihet parasysh se Ligji për amnisti është zgjidhje ad hok e një problemi sistemor i cili duhet të adresohet përmes funksionimit përfundimtar të shërbimit të provës. Një nga shkaqet të cilin e theksojnë organizatat qytetare për numrin e madh të të burgosurve në Maqedoninë e Veriut, është numri i pamjaftueshëm i shqiptimit të masave alternative nga ana e gjykatave.

Këtë mendim e ndan edhe Emilia Vasilevska, nga Sektori për Shërbimin e Provës pranë Drejtorisë, e cila për MEDIAL-n, deklaroi se mungesa e besimit e gjykatësve në shqiptimin e këtyre masave deri para pak kohësh qëndronte në atë se deri në vitin 2015 kryerja e shërbimit të provës (procedurë për kryerjen e masave alternative) ishte në kompetencë të Qendrave për Punë Sociale, të cilat janë organ social.

“Ligji i shërbimit të provës ishte miratuar në vitin 2015. Zyra e parë për shërbimin e provës është vendosur në Shkup, në vitin 2017. Pastaj në vitin 2018 u vendosën edhe tetë zyra të tjera, të cilat tani janë funksionale. Që kur u vendos Shërbimi i provës, për vitin e kaluar ka 166 lëndë. Duke pasur parasysh se është shërbim i ri numri nuk është i vogël. Më së shumti lëndë ka në zyrën në Shkup. Mendoj se ky shërbim po zhvillohet në mënyrë shumë solide dhe me vetë këtë besimi te të gjitha institucionet e përfshira, para së gjithash te gjykatat dhe prokuroritë të cilat i shqiptojnë, propozojnë. Thelbi i shërbimit të provës është që ta zbatojë mbikëqyrjen. Gjatë këtij zbatimi ne bashkëpunojmë me një varg bashkëpunëtorësh”,tha Vasilevska.

Ajo shton se gjatë vitit të kaluar kishin një rast ku është shqiptuar masë alternative “shërbim për komunitetin”. Sipas Vasilevskës, shumica e masave alternative janë “dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse”. Por ka edhe shqiptim të dënimit “mbikëqyrje e personave të liruar me kusht”.

Problemet në shëndetin publik reflektohen edhe në INP

Mungesa e personelit mjekësor i cili është i përditshëm në shëndetësinë publike, reflektohet edhe në sistemin shëndetësor të INP, i cili nga janari i vitit 2019 është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë drejtori Stojanoviq, thekson se me ndihmën e Qeverisë, Drejtoria ka siguruar mjete për sigurim për secilin person të dënuar, pako të cilat kanë filluar t’i paguajnë vitin e kaluar.

“Është evidente se në disa INP, siç është në INP Idrizovë, problemi me shëndetësinë është njëjtë si edhe në shëndetësinë publike, gjegjësisht numrin e pamjaftueshëm të personelit medicinal. Megjithatë ne ndërmarrim një varg aktivitetesh. Para pak kohësh kishim takim me ministrin e Shëndetësisë dhe drejtorin e IPSH nga Shkupi dhe nga Shtipi, ku janë burgjet më të mëdha. Në këtë drejtim shkojmë drejtë përmirësimit, ministri na njoftoi se në ligjet e reja ka stimulime për ata të cilët do të punojnë në INP, me rritjen e të ardhurave personale për 30 për qind dhe mundësi të tjera. Domethënë problemet të cilat i ka shëndetësia publike, i ka edhe sistemi shëndetësor brenda burgjeve”, deklaroi Stojanoviqi.

Përndryshe, vitin e kaluar janë regjistruar disa raste të vdekjes në burgje, më së shumti në INP Idrizovë dhe INP Shtip.