Koalicioni qeverisës, skadon ultimatumi i Isa Mustafës

Në mesnatë ka skaduar ultimatumi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa për Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me arritjen e koalicionit qeverisës, pas më shumë se tre muaj negociatash të pasuksesshme. Të dyja partitë kanë pasur bisedime, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por nuk kanë arritur deri më tash marrëveshje, pavarësisht deklarimeve të të dyja palëve për përafrim qëndrimesh. Gjatë ditës media ka kontaktuar LDK dhe Lëvizjen Vetëvendosje për të marrë vesh nëse do të ketë ndonjë takim të afërt për arritjen e një marrëveshje, por këta të fundit nuk janë prononcuar. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, në ditën e fundit të ultimatumit për Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me formimin e koalicionit qeverisës, ka zgjedhur Facebook për t’u deklaruar në lidhje me këtë çështje. Ai ka thënë se një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV-në udhëheqëse të Qeverisë e LDK-në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit. “Apeloj të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+”, porosit Haziri.

Marketing

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë pasur përplasje rreth ndarjes së posteve, përfshirë atë të kryeparlamentarit dhe presidentit.

Në ofertën e fundit publike, LDK i kërkoi Vetëvendosjes të heqë dorë nga kryeparlamentari në vitin e parë të bashkëqeverisjes. Pas një viti, kur LDK-ja të marrë postin e presidentit, kjo parti ka thënë se do ta kthente pozitën e kryeparlamentarit te VV. Por, kjo e ka fundit e ka quajtur të papranueshme kërkesën e LDK-së, duke thënë se nuk mund ta heqë nga kjo pozitë. Në seancën konstituive të 26 dhjetorit, Glauk Konjufca është zgjedhur për kryetar të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Albin Kurtin, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re të vendit, ndonëse ky i fundit nuk i erdhi në zyrë ashtu sikurse ai e kishte ftuar. Ndryshe, 4 shkurti është afati i fundit për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./BotaSot