Grubi-Tiganj: Mbështetje kroate për zgjerimin

Sot,në Komisionin për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, z. Artan Grubi, u prezantuan Programi dhe Prioritetet për punën e Kryesimit të Kroacisë me Këshillin e BE-së në periudhën janar – qershor 2020, të prezantuara nga ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.S. Nives Tiganj.

Marketing

Ambasadorja Tiganj informon se prioritetet e kryesimit janë zhvillimi i Evropës, ndërlidhja, mbrojtja dhe ndikimi i saj. Gjithashtu, si prioritet të rëndësishëm të Kroacisë, ambasadorja Tiganj e theksoi edhe zgjerimin me vendet e reja anëtare, në përputhje me metodologjinë e re të Bashkimit Evropian, e cila duhet të miratohet së shpejti. Ajo theksoi se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është theksuar në qëllimet e programit të Kryesimit Kroat me BE-në, por që perspektiva evropiane për vendet në rajon duhet të avancohet, në bazë të meritave të tyre dhe kritereve.

Kryetari i Komisionit, z. Grubi, duke e uruar Kroacinë për kryesimin e parë me BE-në, vuri në dukje se Kroacia do ta drejtojë BE-në për HERË TË PARË, por edhe me një përbërje të re të institucioneve evropiane, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. Ai theksoi se Kroacia si vend që do të kryesojë me BE-në, si dhe vetë BE-në, nuk do ta kenë të lehtë në gjashtë muajt e ardhshëm. Grubi tha se periudha e ardhshme gjashtëmujore është një periudhë e trazuar, për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që presin një datë të merituar për t’i filluar negociatat. Ai i citoi deklaratat e fundit të politikanëve të lartë evropianë, siç janë kryetarja e re e Komisionit Evropian, znj. Lajen, eurokomisari i ri për zgjerim, Varheji, kancelarja gjermane Merkel dhe të tjerë, të cilët sqaruan se të dyja vendet kandidate, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë përmbushur kriteret dhe se meritojnë të marrin datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, BE-ja duhet ta korrigjojë gabimin nga muaji tetor dhe t’i fillojë negociatat aderuese me të dyja vendet në pranverë.
Fjalime të tyre patën edhe ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, z. Zhbogar dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, dr. Osmani, të cilët e theksuan nevojën për qasjen gjithëpërfshirëse të gjithë shoqërisë në vend, me qëllim të realizimit të reformave të nevojshme të BE-së, në mënyrë që vendi të përparojë në rrugën drejt BE-së.

Në diskutimin mbi prioritetet kroate morën pjesë edhe deputeti i LSDM-së, z. Betiane Kitev dhe i VMRO-DPMNE, z. Antonijo Milloshoski, të cilët theksuan se vendi duhet t’i fillojë negociatat për kapitujt sa më shpejt që të jetë e mundur. z. Kitev theksoi se vendi ka bërë shumë për sa u përket reformave të kërkuara dhe se me të drejtë pret progres në procesin e BE-së deri në fund të këtij kryesimi, ndërsa deputeti Milloshoski u përqendrua në nevojën për zbatimin e mirëfilltë të ligjeve, para se gjithash në jurisprudencë.

Marketing