Ngrihet edhe formalisht akuza për korrupsion ndaj Netanyahut

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u padit zyrtarisht për korrupsion, pasi ai tërhoqi kërkesën e tij për imunitet parlamentar nga ndjekja penale.

Marketing

Kërkesa për mbrojtje nga ndjekja penale, kishte bllokuar në mënyrë efektive ngritjen e aktakuzës, deri më tani.

Netanyahu ka mohuar akuzat dhe ai nuk ka asnjë detyrim ligjor të japë dorëheqjen.

Benjamin Netanyahu – kryeministri me shërbimin më të gjatë në Izrael – e tërhoqi kërkesën e tij për imunitet nga ndjekja penale, para se të fillonin procedurat parlamentare mbi këtë çështje.

Ai tha përmes një deklarate të bërë publike në rrjetin social Facebook, se “vendosi të mos lejojë që kjo lojë e ndyrë të vazhdojë”.

Kryeministri izraelit gjendet në Uashington, ku presidenti amerikan, Donald Trump pritet të prezantojë planin e tij të paqes në Lindjen e Mesme.

“Kur unë jam në Shtetet e Bashkuara në një mision historik, për të hartuar kufijtë e përhershëm të Izraelit, dhe për të siguruar sigurinë tonë për dekadat në vazhdim, Knesset pritet të fillojë një spektakël tjetër në cirkun e heqjen e imunitetit”, shkroi Netanyahu.

Partia Likud e Netanyahu po planifikonte të bojkotonte seancën e së martës në Knesset.

Ai është akuzuar për mashtrim, shkelje të besimit dhe ryshfet në tre raste të ndara.