Parlamenti grek pritet t’i japë dritën jeshile bonusit 2 mijë euro për çdo fëmijë të lindur pas 1 janarit 2020. Shpërblimi që jepet vetëm një herë synon të përmirësojë raportin e lindshmërisë që vijon të ulet prej vitesh.
Çdo fëmijë i lindur në Greqi nga 1 janari i vitit 2020 do të përfitojë shpërblimin prej 2 mijë euro.
Projektligji mbi bonusin për foshnjat do të votohet të martën në parlament dhe është konceptuar të korrigjojë trendin negativ të lindshmërisë në vend.
Shpërblimi do u shpërndahet familjeve me të ardhura vjetore më të ulëta se 40 mijë euro.
Shuma nuk do të tatohet dhe do jepet në dy këste nga 1 mijë euro menjëherë pas lindjes dhe në gjashtëmujorin e parë të foshnjës.
Mes përfituesve janë edhe familjet shqiptare apo emigrantët e tjerë që mund të provojnë se janë rezidentë në Greqi për më shumë se 12 vite.
Sipas qeverisë greke, ligji përmbush një nga premtimet elektorale të kryeministrit demokrat, Qirjakos Micotaqis, dhe ndihmon mirërritjen e fëmijëve të parë në vend.
Nisma gjithashtu shënon fillimin e përpjekjeve për të adresuar krizën demografike disavjeçare, pasi lindjet e reja në Greqi janë ulur me 10 për qind në 4 vitet e fundit dhe popullsia e vendit rrezikon tkurrjen.
Nisma e fundit pritet t’i kushtojë përvit buxhetit të shtetit grek deri 170 milionë pas 2020-ës.